Modeli Basha, një parti e mbushur me “non grata” dhe një Kryeministër me moralin e hajdutërisë

24 Dhjetor 2025, 16:12 / IDE NGA ERMAL PEçI

Modeli Basha, një parti e mbushur me “non grata” dhe një

Partia Demokratike ka përfunduar në një gjendje që dikur askush nuk do ta kishte imagjinuar, një arenë përplasjesh, akuzash të ndërsjella dhe rënieje morale. Lufta e hapur mes Flamur Nokës dhe Ervin Salianjit nuk është thjesht një konflikt personal. Ajo është pasqyra e një partie që ka humbur orientimin, busullën morale dhe respektin për vetveten.

Ajo që dëgjojmë sot nuk janë më thjesht replika politike. Janë akuza të rënda, të hapura, ku Flamur Noka sulmon Ervin Salianjin për lidhje me krimin, ndërsa Salianji ia kthen me të njëjtën monedhë. Dy eksponentë të së njëjtës parti kanë zgjedhur të përdorin të njëjtën armë kundër njëri-tjetrit, njollosjen publike, diskreditimin moral dhe delegjitimimin total. Kjo nuk flet vetëm për ta si individë, por flet më shumë se në çfarë gjëndje të mjerueshme është katandisur Partia Demokratike sot.

Salianji shkon edhe më tej, duke e pyetur publikisht Nokën nëse “e kalon dot oqeanin”. Por e vërteta është se ai e dinte shumë mirë se ku po përfshihej kur u bashkua në PD pas çarjes së madhe, kë po mbështeste dhe se vetë u shpërblye me poste në kryesi por ju delegua dhe drejtimi i qarku të Elbasanit nga një kryetar që sot realisht nuk arrin të udhëtojë përtej oqeanit. Prandaj nuk ka rëndësi nëse Flamuri udhëton dot apo jo në Britani, ti vetë zgjodhe të bëhesh pjesë e një partie, e një farse që kurrë nuk e rrëzonte dot Edi Ramën por që projektonte degradimin e vet politik si pasojë e përballjes me SPAK dhe derës së mbyllur të SHBA-ve.

Sot, në një kohë kur Edi Rama përballet çdo ditë me akuza publike për lidhje apo ndikime problematike me figura të botës së krimit, ky debat nuk mund të mbyllet me retorikë boshe. Kur makina e Agasit futet në eskortën e Kryeministrit, kur rrethi i pushtetit përzihet me krimin, Shqipëria ka nevojë për modele ndryshe.

Në PD ka shumë gjëra që mund t’i thuash kundër Lulzim Bashës, gabime politike? Pa dyshim. Vendimarrje të vonuara, po. Por ka një fakt që edhe kritikët e tij më të ashpër e pranojnë: Basha nuk u ul kurrë në tavolinë me krimin. Madje edhe deputetin e Laçit të “lënë peshqesh” nga Berisha në listat e vitit 2013 ai e përjashtoi. Me të mirat dhe të metat e tij, Basha ruajti një vijë të kuqe morale në raport me krimin, sepse një politikan që e sheh krimin si palë të barabartë është në thelb, një politikan i degraduar.

Dikush mund të thotë se “Basha ka përfunduar politikisht”. Mund të jetë edhe kështu. Por modeli që ai përfaqësonte, distancë nga krimi, respekt për rregullat, raport korrekt me ndërkombëtarët, i nevojitet PD-së më shumë se kurrë. Ky model i nevojitet Shqipërisë, sepse nuk mund të udhëhiqemi nga kakistrokracia, nga modeli ku llumi e krimi drejton dhe vendos për fatet tona sepse në një betejë me derrat, ti je gjithmonë ai që bëhesh pis.

Sot PD është një pasqyrë e thyer dhe çdo copëz reflekton një krizë të veçantë, krizë lidershipi, krizë morali, krizë vizioni. Nëse kjo parti nuk kthehet tek modeli i politikës me parime, ajo rrezikon të bëhet një strukturë izoluese, e mbyllur në vetvete dhe e parëndësishme.

Shqipërisë i duhet një opozitë që qëndron lart në moral dhe kauza, jo një opozitë që zvarritet në baltën e akuzave. Për këto arsye duhet rikthyer standardi themelor, mbrojtja e drejtësisë dhe marrëdhëniet me SHBA janë të shenjta. Vetëm kështu opozita mund të rifitojë dinjitetin e humbur dhe Shqipëria të fitojë modelin ndryshe në qeverisje.

Po ndodh...