Rrëfimi i Olti Klosit: Sa u ktheva nga morti i xhaxhait më vunë tritolin. Balla kërkoi djegien e makinës

“…kam qenë gjithë ditën në mortin e vdekjes së xhaxhait tim. Sapo jam kthyer dhe kam hyrë në banesë, kam dëgjuar një shpërthim të fortë. Kam dalë jashtë dhe pashë automjetin e dëmtuar që nxirrte tym…”.
Kështu ka deklaruar në policinë e Tiranës, Oltjon Klosi, gjatë marrjes në pyetje mëngjesin e 10 Marsit në ambientet e policisë së Tiranës.
Klosi, ka parkuar mjetin dhe teksa është larguar jo shumë minuta më pas, Jurgen Gjonaj, ka vendosur tritolin në makinën e tij “Benz-Mercedes”, duke sjellë shkatërrimin e saj.
Në dëshminë e tij dhënë para oficerëve të policisë së Tiranës, Klosi, ka treguar se nuk kishte dijeni dhe as dyshime se kush person mund ta kishte bërë një veprim të tillë, që çoi më pas në shkatërrimin e makinës së tij.
“…sapo jam kthyer nga morti i xhaxhait tim dhe pasi kam hyrë në banesë kam dëgjuar një shpërthim të fortë dhe kur kam dalë pashë automjetin e dëmtuar...”-ka treguar për grupin e hetimit Oltjon Klosi.
Pavarësisht se në këtë rast i dëmtuari Oltjon Klosi, nuk ka qenë në gjendje të ndihmojë policinë mbi emrat e personave të dyshuar se kush mund ta kishte bërë këtë krim, oficerët e policisë gjyqësore kanë siguruar pamje filmike të mjaftueshme për të zbardhur këtë krim.
Në pamjet filmike duket se rreth orës 01:55 të mesnatës së 10 Marsit 2026 një person i paidentifikuar dhe i veshur me rroba të zeza dhe me kapuç të zi, kalon afër mjetit tip Benz-Mercedez me biçikletë dhe më pas kthehet në fund të rrugicës dhe më pas ndodh shpërthimi.
Nga vazhdimi i ndjekjes së kamerave me pamje filmike, policia ka vënë re tek kompleksi Malajzian një kavo biçiklete dhe një pjesë fitili, të cilat më pas i ka çuar për ekzaminim laboratorik.
Nga profilet e krahasuara si dhe analizimi i pamjeve filmike, policia e Tiranës, ka dalë në përfundimin se autor i vendosjes së lëndës shpërthyese në makinën e Oltjon Klosit, është shtetasi i arrestuar Jurgen Gjonaj.
Pas ndalimit ky i fundit ka pranuar autorësinë e krimit, duke treguar se e kishte bërë kundrejt shlyerjes së një borxhi prej 14 mijë euro që Gjonaj i kishte porositësit të krimit, Renato Balla, si pasojë e furnizimit me kokainë në Gjermani.
Gjonaj, ka treguar në polici se nuk kishte asnjë njohje me Oltjon Klosit dhe asnjë konflikt, por ka pranuar të kryejë shkatërrimin e makinës me tritol me qëllim shlyerjen e borxhit financiar që i kishte, Renato Ballës.
Sipas dosjes hetimore, Renato Balla, përpara se të lidhte një marrëveshje kriminale me Jurgen Gjonaj, i ka kërkuar që shkatërrimi i makinës së Oltjon Klosit, të kryhej nga shoku i tij, Krisjan Ahmerama.
Pas arrestimit nga policia dhe marrjes në pyetje të Kristjan Ahmerama, ky i fundit ka treguar se njihet prej kohësh me të arrestuarin tjetër, Renato Balla.
Gjatë marrjes në pyetje ai ka pranuar se biçikletën që Jurgen Gjonaj ka përdorur për vendosjen e tritolit, ia ka dhënë ai Jurgenit. Kristjani, ka treguar se:
”…rreth dy javë më parë se të ndodhte ngjarja,Renato Balla, më ka kërkuar që të digjja me benzinë një mjet tip Benz me targë “AA 888 UE”, por unë nuk kam pranuar. Më pas Renato më ka kërkuar që të shkoja tek “Pati Travel”, për të parë nëse ky mjet ishte parkuar atje. Kam shkuar dhe kam vënë re se makina ishte e parkuar aty, duke njoftuar më pas Renato Ballën…”.
Lidhur me këtë ngjarje policia e Tiranës ka arrestuar,Jurgen Gjonaj, Renato Ballën, Kristjan Ahmeraman, Eklips Letin, Sabah Nuzin, Glentjan Kotarin, Dorjan Hamollin dhe Geris Molla.
Ndaj tyre janë ngritur akuza nga prokuroria si “Shkatërrim i pronës me eksploziv”, “Përkrahje e autorit të krimit”, “Mbajtjes pa lejë të municioneve shpërthyese” dhe “Moskallëzim krimi”.
Porosia për të shkatërruar makinën e Oltjon Klosit, dyshohet se është kërkuar nga Sabah Nuzi, i cili prej muajit Tetor 2025 ndodhet i arrestuar nga SPAK për akuzat e vrasjes në bashkëpunim me Aurel Hoxhën. Nuzi mbahet i izoluar në burgun e Fushë-Krujës dhe prej këtej dyshohet se ka dhënë dhe urdhrin për shkatërrimin e makinës.
Vendimi i gjykatës për masat e sigurimit:
Jurgen Gjonaj – arrest në burg
Renato Balla – arrest në burg
Kristjan Ahmerama – arrest në burg
Eklips Leti – arrest në burg
Glentjan Kojtari – arrest shtëpie
Dorjan Hamolli – arrest shtëpie
Geris Molla – detyrim paraqitje /Syri.net
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128