Lagështirë, infeksione dhe presione, të ‘’fshehtat’’ e azilit në Tiranë

27 Mars 2026, 23:22 / AKTUALITET ALFA PRESS

Lagështirë, infeksione dhe presione, të

Qendrat e Kujdesit për të moshuar pretendohet të jenë mjedise që ofrojnë qetësi, kujdes dhe dashuri për të gjithë ata që, për arsye të ndryshme, janë larguar nga banesat e tyre, duke u lënë nën kujdesin e një personeli të specializuar.

Por, me sa duket, jo gjithmonë ndodh kështu.

Sepse ndërkohë që shohim dita-ditës një shtim të këtyre strukturave private, sidomos në Tiranë, institucionet shtetërore nuk kanë kapacitetin e duhur për të testuar stafet dhe kushtet që ofrohen për të moshuarit.

Si në rastin që do ju tregojmë.

Jemi pranë Qytetit Studenti, në azilin e të moshuarve, Joshua Centër, i cili prej vitesh operon në tregun e kujdesit shëndetësor dhe social për të moshuarit. Por, teksa shohim godinën, vërejmë se nuk ka asnjë tabelë informuese për të na treguar për aktivitetin që ndodh atje brenda.

Mure të larta, të mbuluara, porta që rrinë mbyllur me dryna e çelësa në çdo anë dhe veshje metalike që më shumë të japin idenë e një qendre rehabilitimi sesa të një azili ku të moshuarit duhet të kalojnë kohën në qetësi dhe relaks.

Sepse fundja, të afërmit e tyre paguajnë jo vetëm për shërbimin, por edhe për ambientin ku të moshuarit do të akomodohen. Në realitet, informacionin për kushtet skandaloze në këtë strukturë e morëm nga katër zonja, të cilat në situatën e një largimi të padrejtë nga puna vendosën të tregojnë se çfarë ndodh brenda atyre mureve.

Zonjat shprehen se kanë punuar në kushte skandaloze higjieno-sanitare, rrogat i merrnin në dorë, punonin pa leje vjetore. Madje tregojnë se si i ndërronin të sëmurët, disa prej tyre me probleme të shëndetit mendor, duke e bërë edhe më të rëndë situatën.

Njëra nga zonjat tregon se ka marrë edhe infeksion në sy dhe duar për shkak të punës.

Por ndërkohë që punonin në kushte të tilla, ato pushohen nga puna vetëm me një telefonatë nga drejtoresha e azilit, Majlinda Treska.

Kjo e fundit as nuk denjon më as t’u japë një sqarim Adrianës, Mimozës, Dhuratës dhe Meribanit, të cilat pasi punuan për dekada në azilin e saj, i flaku në rrugë. Gjithçka me një klik. Asnjë sqarim, asnjë pretendim për shkelje apo abuzim në punë. Ik, se nuk të dua më.

Ndaj, për të kuptuar si qëndron e vërteta, shkuam vetë në azilin Joshua Centër. Por ishte e shkruar të mos e takonim me herën e parë drejtoreshën. Dyert ishin të mbyllura, punonjëset aktuale bënin sehir nga dritaret teksa shihnin ish-kolegët duke pritur të takonin drejtoreshën, ndërkohë që kjo e fundit u mbyll brenda duke shmangur ballafaqimin me Adrianën, Mimozën, Dhuratën dhe Meribanin, të cilat qëndronin jashtë portës së hekurit në pritje të një përgjigjeje…

Kështu që shkuam sërish pak ditë më vonë por e njëjta situatë: dyert e azilit ishin të mbyllura dhe askush nuk na dha mundësinë ta sqarojmë situatën.

Në këto kushte vendosëm të telefonojmë administratorin e Joshua Center, zotin Parid Treska, i cili është djali i drejtoreshës. Por ky i fundit, me një sjellje arrogante, mbyll telefonin dhe nuk jep asnjë sqarim.

Në kushtet kur edhe kësaj radhe nuk morëm asnjë përgjigje, bashkë me katër gratë shkojmë drejt Inspektoriatit të Punës, ku zonjat bënë padi për largimin e padrejtë nga puna.

Reagimi i inspektoriatit nuk vonoi.

Dy grupe inspektimi, për kushtet e punës dhe shërbimin e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror, u vunë menjëherë në lëvizje dhe konstatuan shkelje të njëpasnjëshme në azilin Joshua Center.

E nëse mendoni se paligjshmëria në Joshua Centër mbyllet te katër sanitaret, tani kalojmë pak te kushtet në të cilat mbahen të moshuarit, të afërmit e të cilëve paguajnë shuma të majme për t’i akomoduar aty. Sipas Inspektoriatit të Punës, azili ka mungesë në dokumentacionin e stafit sa i përket kujdesit shëndetësor, ndërsa akoma më i rëndë është fakti i mungesës së specialistëve të fushës, si psikologë apo punonjës socialë.

Për të mos folur pastaj për kushtet e tualeteve, lagështirën dhe mungesën e dokumentacionit shoqërues për çdo rezident në azil.

I di të gjitha këto gjëra drejtoresha Majlinda Treska, me të cilën me pak fat arritëm të takoheshim. Por edhe drejtoresha, ashtu si edhe i biri, nuk pranon të japë asnjë përgjigje, largohet me nxitim dhe përplas portën.

Po e përmbledhim edhe njëherë, zonja nuk ka respektuar në asnjë moment Kodin e Punës, duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë ekonomike të zonjave dhe duke i mbajtur në punë pa kontratë, me rroga gjysmake, të padeklaruara, dhe duke mos u ofruar asnjë kusht higjiene. Dhe në fund i ka flakur./Piranjat

Po ndodh...

ide