“Dy gola të dhuruar”, Ledio Pano nuk ndal kritikat për Silvinjon: Të gjithë shqiptarët donin Muçin e Mehmetin, edhe Mesi po të hynte në minutën e 82-të…

27 Mars 2026, 19:44 / SPORT ALFA PRESS

“Dy gola të dhuruar”, Ledio Pano nuk ndal kritikat për

Ish-futbollisti i njohur i Kombëtares shqiptare, Ledio Pano, ia ka dhënë përgjegjësinë e eliminimit të Shqipërisë përballë Polonisë në play-off vetëm trajnerit Silvinjo dhe zgjedhjeve të tij. Duke folur në “Sport News” në “News 24”, Pano ka bërë të qartë se sheh brazilianin si përgjegjës pasi nuk ka zgjedhur lojtarë e duhur për këtë duel.

Ledio, ishim kaq pranë, vetëm 2 hapa larg, çfarë shije të la kjo humbje? Cila ishte gjëja e parë që të shkoi ndërmend?

Me thënë të drejtën, para ndeshjes kisha besim që do kalonim, por nuk ndodhi. Ne Europianin e kemi provuar dy herë, ishte momenti i duhur për të provuar Botërorin.

Në sytë e një trajneri dhe një ish-lojtari që ke luajtur sfida të mëdha, çfarë nuk shkoi, ku e humbëm ndeshjen?

Nuk e nisëm mirë, ato minutat e para nuk ishim futur në ritmin e lojës, po bënim shumë gabime. Bëmë gabime në pasime, por me kalimin e minutave, morëm situatën në dorë. Pjesa e dytë ishte më e mirë, e morëm veten, patëm raste të pastra. Më saktë, nuk ishin raste, ishin dy gola të dhuruar për të dalë te loja e saj. Unë do e vendos theksin te minutat e pakta që kishin në këmbë lojtarët.

Ledio, në futboll faturën në fund e paguan trajneri, janë zgjedhjet e tij, por ne kemi të drejtën të analizojmë. E para, si t’u duk formacioni që përzgjodhi? Do kishe ndryshuar diçka?

Tani pas ndeshjes, pas eliminimit mund të flasim shumë gjëra. Ajo gjë që është e sigurt, të gjithë sportdashësit donin Muçin dhe Mehmetin. Me ndeshjet që kanë bërë, kanë dhënë maksimumin. Kombëtarja ndryshon nga ekipet, kombëtarja kërkon që lojtarët të jenë në 100 % të tyre. Gabimi i Silvinjos ishte që nuk aktivizoi Muçin dhe Mehmetin.

Në këto 3 vite, Silvinjo është gjykuar për mënyrën se si lexon ndeshjen, apo ndryshimet. Në sfidën më të rëndësishme, aktivizoi Pilon, një lojtar që vjen për herë të parë, mbase nuk i njeh të gjithë shokët në përfaqësuese. Topi i artë i erdhi në këmbë atij dhe e shpërdoroi…

Duhet të themi diçka, jo më kot fola për Muçin dhe Mehmetin, duhet t’i aktivizonte më tepër. Për mua duhet të ishin titullarë. Ndikuan edhe mungesat e Manajt dhe Dakut. Besoj që e gjithë fatura i shkon Silvinjos. Nuk e shikojmë si tifozë, por si specialistë.

Pas ndeshjes, Silvinjo u shpreh se zgjodhëm lojtarët që kemi punuar këtë vit. Pse ky rregull nuk funksionon për Muçin? Pse duhet aktivizuar lojtari më në formë në minutën e 82-të?

Ai do mbrojë veten e vet dhe ka të drejtën të flasë atë që dëshiron. Edhe ne kemi luajtur futboll, jo me Barcelonën, por kemi luajtur. Problemi është se Muçi e Mehmeti duhet të ishin në fushë.

Pas golit të dytë të Polonisë, pas minutës së 73-te, kishte më shumë se 20 minuta lojë. A duhet të guxonte më shumë, qofte me Mehmetin apo Muçin? Nuk kishim se çfarë humbnim besoj…

Edhe Mesi po të hynte në minutën e 82-të, nuk bën gjë. Nëse Muçi dhe Mehmeti janë në formë, normalisht që do i fusësh. Bajrami te Rejnxhërs nuk luan, pamë që Mitaj nuk ishte në formën e duhur. Broja pa minuta fare. Shehu ishte nga më të mirët, pasi ka minutazh. Laçi u përpoq, por nuk ka talent dhe cilësi të të nxjerrë nga “selameti”.

Ledio, duke pasur parasysh të gjithë fushatën kualifikuese të Botërorit, e mbyllëm në vendin e dytë, shkuan në “play-off”. Dua një përgjigje të thatë. Me çfarë note do e vlerësoje?

Shqipëria ka patur luhatje, kemi patur ndeshje që kemi luajtur mirë, kemi patur ndeshje që nuk kemi luajtur mirë. Unë e vlerësoj me 6,5, do ishte shumë. Padiskutim që kaluese, pasi shkuam në play-off.

Në këto 3 vite, duhet vlerësuar padiskutim Silvinjo, shkuam në Europian, prekëm play-off të Botërorit për herë të parë. Është nën kontratë deri në muajin korrik. A duhet të vazhdojmë me Silvinjon?

Këto janë ato pyetjet jo të vështira, por çdo njeri do t’i anashkalojë. Unë dua të jem i pastër me veten time. Silvinjo nuk duhej të vazhdonte që para eliminatoreve. Duke shkuar në Europian, ishte diçka e detyruar. Tani nuk besoj se do i marrë diçka më shumë këtij ekipi.

Po ndodh...

ide