Dosja AKSHI/ 11 mln euro dhe verërat e shtrenjta, shpërblime për Ergys Agasin! Shtohet dhe akuza e korrupsionit

22 Prill 2026, 09:37 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dosja AKSHI/ 11 mln euro dhe verërat e shtrenjta, shpërblime për

Mbi 1.05 miliardë lekë (gati 10.6 milionë euro me kursin aktual), dhe mbi 470 mijë euro, janë paguar nga disa kompani, në llogaritë e kompanisë ‘EA Solution’ të Ergys Agasit, përfshirë dhe gati 1 milion euro verëra të shtrenjta. Pagesat janë bërë formalisht për shërbime të ndryshme, por siç rezulton nga hetimet, ato ishin në të vërtetë shpërblim i dhënë për fitimin e tenderëve të AKSHI-t, falë lidhjeve të ngushta që Agasi kishte, sipas SPAK, me drejtoreshën e këtij institucioni Mirlinda Karçanaj, dorëhequr pas marrjes së saj si e pandehur.

Dosja e AKSHI-t është pasuruar në muajin shkurt të këtij viti, me 4 emra të tjerë personash që janë përfshirë në listën e të hetuarve. Mes tyre dhe ish-nëndrejtori Daniel Shima, si dhe Arjola Koromani, administratorja e kompanisë ‘Soft&Solution’, në pronësi të Ermal Beqirit, krahut të djathtë të Ergys Agasit. Përveç tyre edhe 7 kompani të lidhura me tenderët e AKSHI-t. Akuzat janë ato të “Shkelje e barazisë në tenderë” e kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Për Andis Papën pronar i ‘Fastech shpk’ dhe Gëzim Hoxhën, i ‘First shpk’, është shtuar akuza e “Shkeljes së barazisë në tendera”.

Hetimet e mëtejshme, kanë bërë që më 16 prill, situata të rëndohet për Agasin, Beqirin, Papën, Hoxhën, dhe Arjola Koromanin. Ndaj tyre është shtuar dhe vepra penale e korrupsionit.

Nën dyshimet për të njëjtën vepër penale që i bashkëngjitet akuzave ekzistuese, edhe Daniel Shima, ish-nëndrejtor i AKSHI-t, si dhe Mirlinda Karçanaj, ish-drejtuese e AKSHI-it, mbi të cilën tani rëndon edhe ‘pastrimi i parave’.

Listës i është shtuar dhe një tjetër sipërmarrës, Elision Jorgjis i kompanisë ‘Albascan’, i vënë po ashtu nën hetim për korrupsion dhe pastrim parash.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme, i cili çoi në sekuestrimin e dhjetëra pasurive të Agasit, Beqirit dhe pronarëve të disa kompanive të tjera të lidhura me procedurat e tenderëve të Agjencisë që drejtohej nga Karçanaj, në të paktën një rast të dokumentuar, mbi 1.1 milion euro u dhanë pas kërcënimeve që Ermal Beqiri, pronar i kompanisë ‘Soft&Solution’, krahu i djathtë i Agasit, i bëri një shoqërie të përfshirë në një nga garat e shumta.

Hetimet kanë zbuluar po ashtu, se dhe kantina e pasur me verëra të shtrenjta që u zbulua në vilën e Agasit në Equos Resort në Tiranë, ishte fryt i shpërblimeve, për  një vlerë prej mbi 950 mijë eurosh.

“Ka dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se veprimet e shoqërisë “EA Solution" sh.p.k përbëjnë një skemë tipike të korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale, ku subjekti juridik është përdorur si një mjet për transferimin e ryshfetit në formë të kamufluar tregtare”, thuhet në dosjen e GJKKO-së, sipas së cilës “ndërkohë që "EA Solution" ka prerë fatura në vlera jashtëzakonisht të larta drejt operatorëve ekonomikë (si "Fastech", "First", AESS, Soft & Solution etj.), hetimi ka dokumentuar se kjo shoqëri nuk zotëron asnjë kapacitet teknologjik apo burim njerëzor për të përmbushur objekte të tilla kontrate”.

Në dosje vlerësohet se “fatura tatimore është përdorur si instrument për të "legalizuar" vlerat korruptive të paguara, duke e futur atë në qarkullimin financiar si shpenzim të zbritshëm për operatorët fitues”. E gjithë kjo skemë për hetuesit krijon “dyshime të arsyeshme të bazuara në prova mbi ekzistencën e elementëve të figurave të veprave penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, pastrimit të produkteve të veprës penale të kryera në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të strukturuar kriminal”.

Po ndodh...

ide