Aksioni i SPAK në Vlorë/ Zbardhet edhe vrasja e Bledar Birçajt në 2021

7 Mars 2026, 14:36 / AKTUALITET ALFA PRESS
Aksioni i SPAK në Vlorë/ Zbardhet edhe vrasja e Bledar Birçajt

Përmes bisedave në aplikacionin "Sky", prokuroria e Posaçme SPAK, pretendon se ka zbardhur dhe një tjetër ngjarje të rëndë në Vlorë, siç është vrasja e Bledar Birçajt. 

Për këtë vrasje dhe atë të Gentian Qarrit, si dhe trafikun e kokainës, prokuroria e posaçme SPAK, ka vijuar sot me shpalljen në kërkim të disa personave, ndërsa disa të tjerë janë arrestuar.

Në kërkim janë shpallur Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, ndërsa të arrestuar janë Flodian Plaku, Rezart Kuçi dhe Hamëz Demushi.

Vrasja e Bledar Birçaj mësohet nga gazetari Elton Qyno se është kryer për shkak të përplasjeve në trafikun e kokainës në Spanjë.

40 vjeçari u ekzekutua më 10 maj 2021, në një atentat të mirëorganizuar, teksa po udhëtonte me automjetin e tij BMW X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit.  Në drejtim të automjetit u qëllua mbi 30 herë, ku 7 plumba i morën jetën. Ai ndërroi jetë në spital.

Bledar Birçaj është një emër jo i panjohur për policinë e Vlorës, pasi në 21 dhjetor 2010, Birçaj së bashku me vëllanë e tij, Elton Birçaj, kanë dhunuar barbarisht ish-juristin e hipotekës së Vlorës me inicialet F.H. Për këtë ngjarje dy vëllezërit janë proceduar në gjëndje të lirë. Shkak i kësaj ngjarje është bërë, problemet që ata kanë pasur me dokumentacionin në një pronë që ndodhet në qytetin e Vlorës.

Bledar Birçaj, është arrestuar dhe në 27 janar 2011 nga policia dhe prokuroria e Vlorës pasi dyshohej për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim” e kryer në bashkëpunim mbetur në tentativë; “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municioneve”; si dhe “Shkatërrim prone”.

Ai ka qëndruar fillimisht në burg në masën e arrestit në burg 45 ditor dhe më pas në 9 mars 2011, gjykata e Vlorës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”.

Në 26 Prill 2011 gjykata e Vlorës ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë arrest në burg në detyrim paraqitje dhe ndalim jashtë shtetit.

Në 25 korrik 2011 prokuroria e Vlorës, ka vendosur pushimin e hetimeve për Bledar Birçaj, me argumentin se nuk i provonin akuzës e vrasjes me paramendim mbetur në tentativë. Për qëndrimin në burg për një periudhë 122 ditore Birçaj ka përfituar dëmshpërblim financiar prej  2 milion e 760 mijë lekë të vjetra.

Birçaj ishte pronari i një lokali të njohur në zonën e Lungomares në Vlorë. 

Po ndodh...