Aksidentet fatale në punë u rritën me 45.5% në 2025, sinjal alarmi për sigurinë në Shqipëri

18 Mars 2026, 20:51 / AKTUALITET ALFA PRESS

Aksidentet fatale në punë u rritën me 45.5% në 2025, sinjal

Rritja e ndjeshme e aksidenteve fatale në vendin e punës gjatë vitit 2025 ngre një sinjal serioz alarmi për sigurinë dhe shëndetin në punë në Shqipëri. Sipas të dhënave të publikuara nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, numri i aksidenteve me pasojë vdekjen ka arritur në 48 raste në vitin 2025, nga 33 raste në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej rreth 45.5%. Në total janë regjistruar 275 aksidente, edhe kjo në rritje krahasuar me 2024. Këta tregues vijnë në një kohë kur formalizimi i tregut të punës dhe forcimi i kuadrit rregullator kanë qenë ndër prioritetet kryesore të politikave publike, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e mekanizmave të parandalimit, kontrollit dhe ndërgjegjësimit në terren.

Gjatë vitit 2025 janë inspektuar 9,532 subjekte dhe mbi 205 mijë vende pune, me një rritje të ndjeshme të inspektimeve të orientuara mbi bazë risku. Ky ndryshim lidhet drejtpërdrejt me përdorimin e sistemit inteligjent MIRA, i cili ka automatizuar analizën e riskut dhe ka rritur ndjeshëm efikasitetin e kontrolleve në terren.

Një nga rezultatet më të rëndësishme lidhet me luftën ndaj informalitetit. Inspektorati identifikoi 2,591 punëmarrës informalë, ku 98% e tyre u formalizuan gjatë procesit inspektues. Ndërkohë, numri i punonjësve pa kontratë pune ra në 2,999, një ulje me 24% krahasuar me vitin 2024. Ky zhvillim ka sjellë edhe një efekt të drejtpërdrejtë financiar, duke shtuar mbi 28 milionë lekë në muaj në skemat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Paralelisht, është rritur ndjeshëm edhe presioni ndëshkues. Gjatë vitit 2025 u vendosën 268 gjoba me vlerë totale 64.6 milionë lekë, në rritje si në numër ashtu edhe në vlerë krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, vetëm 21% e tyre janë ankimuar, duke treguar një rritje të qëndrueshmërisë ligjore të vendimeve të inspektimit.

Një tjetër tregues që reflekton rritjen e ndërgjegjësimit është numri i ankesave. Gjatë vitit 2025 janë trajtuar 1,179 ankesa, me rritje të ndjeshme krahasuar me 2024, ndërsa 70% e tyre janë zgjidhur në favor të punëmarrësve. Shkeljet më të zakonshme lidhen me pagesat e orëve shtesë, ditët e pushimit dhe mungesën e kontratave.

Në tërësi, viti 2025 paraqet një bilanc me dy anë: nga njëra anë një progres i dukshëm në formalizim dhe modernizim të inspektimit, dhe nga ana tjetër sfida të vazhdueshme në sigurinë në punë dhe informalitetin strukturor të tregut. /ekofin.al

Po ndodh...