Zbardhet vendimi i plotë i Kushtetueses mbi çështjen e Erion Veliajt

1 July 2026, 21:02 / POLITIKË ALFA PRESS
Zbardhet vendimi i plotë i Kushtetueses mbi çështjen e Erion

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e marrë më 25 maj, me të cilin, me një shumicë prej 5 votash kundrejt 3, vendosi që Gjykata e Lartë të rishqyrtojë kërkesën për lirim të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj.

Në vendim, Kushtetuesja kërkon që Gjykata e Lartë të japë një arsyetim të plotë se përse masa “arrest me burg” është e domosdoshme në rastin konkret dhe përse nuk mund të zbatohen masa më të lehta sigurie, duke marrë në konsideratë edhe faktin që Veliaj ushtron funksionin e kryebashkiakut.

“Gjykata vlerësoi se nuk ishte analizuar mjaftueshëm nëse masa “Arrest në burg” ishte e domosdoshme në raport me të drejtën për t’u zgjedhur (Neni 45 i Kushtetutës),. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë dështoi të ushtronte një kontroll efektiv mbi faktin nëse masat më pak kufizuese (si garancia pasurore) mund të neutralizonin rreziqet pa penguar ushtrimin e funksionit publik të kryetarit të bashkisë.

Një tjetër pikë ku vendimi i Gjykatës së Lartë u gjet i cenueshëm ishte mungesa e arsyetimit lidhur me qëndrimin e Veliajt në kabinën e xhamit gjatë seancave,. Kërkuesi pretendoi se ky izolim krijonte një imazh negativ si person i rrezikshëm dhe cenonte parimin e prezumimit të pafajësisë”,- thuhet ndër të tjera në vendimin e Kushtetueses.

Për çfarë akuzohet Veliaj?

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dosjen e kryebashkiakut Erion Veliaj. Në dosjen e kopsitur nga SPAK 13 akuza që rëndojnë mbi Veliajn dhe 12 akuza që rëndojnë mbi bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Në përfundim të hetimeve paraprake, ka rezultuar se Veliaj dhe Xoxa, në bashkëpunim mes tyre, në 9 raste të veçanta, kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Nga hetimi penal janë grumbulluar të dhëna konkrete, të cilat provojnë se Veliaj, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e tij ka miratuar në çdo rast shpërndarjen e këtyre fondeve, të cilat më pas kanë përfunduar tek OJF-të e kontrolluara nga bashkëshortja e tij dhe individë të afërt me të.

Gjithashtu, këta të pandehur, për shkak të funksionit që kryen Veliaj, kanë përfituar në mënyrë të parregullt edhe pasuri të paluajtshme në vlerë të konsiderueshme nga subjekte tregtarë që kanë marrë fonde publike dhe leje ndërtimi nga Bashkia Tiranë.

Në të gjitha këto episode të pandehurit, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë konsumuar elementët e veprës penale të parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal. Shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar si edhe organizatat jofitimprurëse të lartpërmendura, duke dhënë përfitime të parregullta për shkak të detyrës që kryen i pandehuri Erion Veliaj, kanë konsumuar elementët e parashikuar nga neni 245 i Kodit Penal.

Po ndodh...

ide