The Guardian: Revolta në Shqipëri nisi si "Flamingo", por ka të bëjë me zhgënjimin ndaj kryeministrit Rama dhe kreut të opozitës Berisha!
Për më shumë se një muaj, mijëra njerëz kanë dalë në rrugët e Tiranës për të protestuar kundër qeverisë së tyre, në shpërthimin më të madh të pakënaqësisë në Shqipëri që nga rrëzimi i komunizmit, më shumë se tre dekada më parë. Ajo që nisi si një protestë për mbrojtjen e mjedisit dhe të një rezervati natyror me më shumë se 2.500 specie, është shndërruar në Revolucionin e Flamingos, duke vënë në pikëpyetje vetë drejtimin që po merr vendi.
Shqiptarët janë të zemëruar sepse zhvillimet luksoze shumëmiliardëshe, të mbështetura nga Jared Kushner dhe Ivanka Trump, kërcënojnë një nga zonat e fundit të egra të Adriatikut – Zvërnecin, lagunën e tij dhe ishullin e afërt të Sazanit – ndërsa mungesa e transparencës për këto projekte ka shtuar edhe më shumë zemërimin. Qeveria thotë se marrëveshjet ende nuk janë finalizuar. Megjithatë, pamjet me buldozerë në plazhe ndezën protestat masive.
Tashmë protestuesit po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, i cili fitoi mandatin e katërt vetëm vitin e kaluar, megjithëse me një pjesëmarrje në zgjedhje prej vetëm 45%. Rama ka këmbëngulur se “nuk ka absolutisht asnjë mundësi që investimi të ndalet sa kohë që unë jam këtu”. Lideri i Partisë Socialiste ka promovuar me entuziazëm investimet dhe kapitalin e huaj, duke argumentuar se ato janë thelbësore për zhvillimin e një prej vendeve më të varfra të Europës. Shqiptarët i mirëpresin investimet, por kjo nuk do të thotë se janë të gatshëm të shesin trashëgiminë e tyre – veçanërisht kur kushtet e marrëveshjeve mbeten të paqarta. Rama është paraqitur si një lider që po e çon vendin drejt modernizimit. Kritikët në Shqipëri flasin për një “demokraci me buldozer”, e cila duket më tërheqëse nga larg sesa nga afër.
Rama ia atribuon reagimin një ndjenje kundër Donald Trumpit. Votuesit në mbarë Europën janë të ndjeshëm ndaj shenjave se udhëheqësit e tyre mund të detyrohen të bëjnë kompromise me interesat kombëtare nga frika e reagimit të Donald Trump. Por kjo lëvizje lidhet shumë më tepër me zhgënjimin ndaj qeverisë së Ramës, por edhe ndaj opozitës konservatore të drejtuar nga Sali Berisha – ish-president dhe ish-kryeministër, i cili gjatë administratës Biden u shpall i padëshirueshëm në SHBA për shkak të akuzave për korrupsion.
Zhvillimi në Zvërnec është bërë i mundur falë një ndryshimi ligjor të vitit 2024, që lejon ndërtimet në zonat e mbrojtura natyrore për projekte turistike me pesë yje. Për shumë njerëz, kjo është prova më e qartë se interesat e qytetarëve të zakonshëm po sakrifikohen në favor të super të pasurve. Siç i tha një protestues i moshuar shqiptar gazetës The Guardian: “Kanë kaluar më shumë se 30 vjet dhe spitalet tona janë ende të mjerueshme, sistemi arsimor është katastrofë, nuk ka vende pune dhe të gjithë po largohen… Kemi mësuar nga përvoja se projekte të tilla përfitojnë vetëm një pakicë të pasur.”
Shqiptarët po kërkojnë që politika t’u ofrojë diçka më të mirë. Ka ngjashmëri me protestat shumëvjeçare në Serbi kundër klientelizmit dhe mungesës së llogaridhënies. Veçanërisht bie në sy fakti se një vend i njohur për emigracionin e lartë ka parë të rinj të arsimuar të kthehen nga jashtë për t’u bërë pjesë e protestave. Shqiptarët që dikur mendonin se nuk kishin të ardhme në vendin e tyre, tani po përpiqen ta formësojnë atë vetë.
Deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar ndalimin e menjëhershëm të ndërtimeve në zonat e brishta natyrore dhe kanë paralajmëruar se projekti turistik mund të rrezikojë procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ky duhet të jetë një mesazh serioz për Ramën, i cili ka premtuar se vendi do të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030. Por kryeministri duhet, para së gjithash, të dëgjojë qytetarët e tij. Kjo nuk është vetëm një betejë për mbrojtjen e një pjese të çmuar të natyrës, sado e rëndësishme të jetë ajo. Është një betejë për të përcaktuar nëse Shqipëria mund të zgjedhë një rrugë më të mirë sesa një rritje afatshkurtër që pasuron vetëm një pakicë përmes marrëveshjeve të paqarta./Përktheu Alfapress.al, marrë nga The Guardian
Po ndodh...
Vulën që Edi Rama ia dha Sali Berishës, ia mori populli
ide
Protesta nuk ka nevojë për tutorë
Protesta dhe Njeriu i Divanit
Stop fyerjes së inteligjencës së shqiptarëve!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128