Spaleti drejt largimit nga Juventusi pas derbit me Torinon

21 Maj 2026, 21:53 / SPORT ALFA PRESS
Spaleti drejt largimit nga Juventusi pas derbit me Torinon

Situata te Juventusi duket më e tensionuar se kurrë. Sipas mediave italiane, trajneri Luciano Spalletti po mendon seriozisht dorëheqjen pas derbit të fundjavës ndaj Torinos.

Pas humbjes zhgënjyese ndaj Fiorentinës, tekniku italian la të kuptohej se e ardhmja e tij në Torino nuk është më e sigurt. Deklaratat e tij pas ndeshjes kanë ngritur dyshime të forta mbi vazhdimësinë te bardhezinjtë.

Sipas “La Stampa”, Spaleti është i zhgënjyer nga paraqitjet e fundit të skuadrës dhe mbi të gjitha nga mungesa e personalitetit dhe përgjegjësisë së lojtarëve në momentet vendimtare të sezonit.

Trajneri besonte se kishte stabilizuar ekipin dhe ishte krenar për punën e bërë deri tani, sidomos në garën për sigurimin e një vendi në Ligën e Kampioneve. Por rezultatet negative të javëve të fundit kanë ndryshuar totalisht situatën.

Raportohet se një humbje në derbin ndaj Torinos mund të sjellë largimin e menjëhershëm të Spaletit, duke prishur planet e klubit për sezonin e ardhshëm dhe duke hapur një tjetër krizë te Juventusi.

Tashmë, derbi i Torinos pritet të jetë vendimtar jo vetëm për sezonin e Juventusit, por edhe për të ardhmen e trajnerit italian në stolin bardhezi.

Po ndodh...