Demokrati Sali Berisha përballë komunistit Sali Berisha, më 23 maj PD do të zgjedh mes Saliut që premton liri dhe Berishës që nuk lëshon karrigen

20 Maj 2026, 18:21 / IDE NGA RIGELS SELIMAN

Demokrati Sali Berisha përballë komunistit Sali Berisha, më 23

Historia nuk përsëritet, ajo thjesht heq uniformën e kuqe për të veshur një pardesy blu. Më 23 maj, Partia Demokratike fton anëtarësinë në një referendum "madhështor" ku gara ka arritur kulmin e saj absolut: Sali Berisha përballë vetvetes. Pas filtrimit të kujdesshëm të çdo rivali potencial, na ofrohet një deduksion i pastër logjik sipas modelit të vjetër të para viteve '90. Nëse i vetmi kandidat në garë është ai që dikur mbante teserën e Partisë së Punës, atëherë i vetmi rival i vërtetë që i ka mbetur "demokratit" të sotëm është komunisti i djeshëm.

Ky nuk është një votim, por një seancë spiritizmi politik ku e shkuara takon të tashmen në të njëjtën fletë votimi. Trumbetimi i këtij procesi si "më demokratiku" nga zyrtarët e partisë dëshmon se rregullat e Enverit janë thjesht të ripaketuara me logo të re. Kur alternativa e vetme është një emër, fjala "zgjedhje" pëson vdekje klinike dhe zëvendësohet nga unanimiteti i dikurshëm. Deduksioni është i pamëshirshëm: nëse nuk ka rivalë, nuk ka garë; nëse nuk ka garë, pushteti nuk është fituar, por është vetëdorëzuar.
Ironia therëse qëndron në faktin se pas dekadash premtimi për pluralizëm, destinacioni final na kthen fiks në pikën e nisjes. Më 23 maj, demokratët e gjorë do të dynden drejt kutive për të zgjedhur mes Saliut që premton liri dhe Berishës që nuk lëshon karrigen. Ky teatër absurd tregon se izolimi nuk ishte vetëm gjeografik, por qenka i koduar thellë në mentalitetin e udhëheqësit. pluralizmi brenda partisë u reduktua në monologun e një njeriu që debaton me hijen e tij të para viteve '90.
Rroftë votimi i lirë, ku e vetmja gjë e sigurt është se në darkë do të fitojë... Sali Berisha!
Në fund të ditës, ky referendum është suksesi më i madh i PPSH-së: të transformojë partinë e parë antikomuniste në një instrument të kontrollit absolut. Me një fletë votimi që i ngjan një pasqyre, anëtarësia thjesht do të vulosë paradoksin shqiptar. Ndaj, më 23 maj, votoni të qetë; cilindo version të Saliut që të zgjidhni, e shkuara e tij do të fitojë me 99.9% të votave.

Po ndodh...