“Heroi i heshtur” që hapi rrugën e Kosovës drejt FIFA-s, historia e panjohur e Hasan Kadriut

Një histori e jashtëzakonshme, e mbetur për vite të tëra në hije, tashmë vjen në dritë përmes një rrëfimi që prek jo vetëm sportin, por edhe vetë çështjen kombëtare. Bëhet fjalë për Hasan Kadriun, njeriun që në heshtje hodhi themelet e ndërkombëtarizimit të futbollit kosovar dhe hapi dyert drejt institucioneve më të mëdha botërore të sportit.
Dokumentari “Heroi i heshtur”, i realizuar nga regjisori Kastriot Saqipi, sjell në fokus jetën dhe veprimtarinë e Kadriut, duke zbuluar dimensione të panjohura të një figure që, sipas autorit, la gjurmë të pashlyeshme në historinë e futbollit shqiptar dhe më gjerë.
Sipas Saqipit, rrugëtimi i Hasan Kadriut ishte i jashtëzakonshëm dhe i lidhur ngushtë me emra të mëdhenj të historisë kombëtare si Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ai thekson se Kadriu e kishte kthyer avancimin e shqiptarëve në sport në një mision jetësor.
Saqipi zbulon se Kadriu ishte ndër menaxherët e parë shqiptarë në botë, në një kohë kur kjo kërkonte mjete të mëdha financiare dhe lidhje të fuqishme ndërkombëtare. Për më tepër, ai kishte krijuar miqësi të afërt me figura kyçe të futbollit botëror si Sepp Blatter, duke ndikuar drejtpërdrejt në afirmimin e futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
“Jam mahnitur me historinë e tij. Për këtë arsye edhe e kam bërë dokumentarin, të cilin ia kam dërguar edhe redaksisë suaj. Hasani ka qenë mik i ngushtë i Jusuf Gërvallës, Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës. Hasani e merr si çështje kombëtare avancimin e shqiptarëve në sport. Është menaxheri i parë shqiptar në mesin e 500 menaxherëve në botë që kanë ekzistuar në atë kohë, sepse është dashur një shumë e madhe, 2 apo 3 milionë marka për t’u bërë menaxher dhe ka qenë i vetmi shqiptar, i cili është bërë menaxher dhe që e ka pasur mik të ngushtë Sepp Blatter, i cili ishte kryetari i FIFA-s, njeriu më me ndikim në futbollin botëror dhe këtu ai e ka bërë avancimin e futbollit të Shqipërisë dhe Kosovës.”
Hasani ka afirmuar ish-futbollistët më të njohur shqiptarë, tregon Saqipi.
Kadriu kishte rol të rëndësishëm edhe në promovimin e shumë futbollistëve shqiptarë si Alban Bushi, Rudi Vata, Kushtrim Munishi dhe Muharrem Sahiti, të cilët, sipas Saqipit, vazhdojnë ta kujtojnë me emocion edhe pas dekadash.
Një ndër momentet kyçe, sipas Saqipit, ishte nisja e procesit për anëtarësimin e Kosovës në FIFA, në bashkëpunim edhe me Agim Ademin, ku dokumentacioni përkatës i ishte dorëzuar vetë Blatter-it.
Vdekja e Kadriut, për autorin e dokumentarit, mbetet e dyshimtë dhe enigmatike.
Pavarësisht kësaj, kontributi i Hasan Kadriut vazhdon të vlerësohet edhe sot, ndërsa puna e tij u pasua nga figura të tjera të rëndësishme si Fadil Vokrri, duke e çuar përpara rrugëtimin e futbollit kosovar drejt sukseseve ndërkombëtare.
Saqipi kujton një detaj interesant nga veprimtaria e Hasan Kadriut, kur futbollistët nuk donin të ktheheshin duke kërkuar azil, por ai i bindi që të kthehen në atdhe. /KosovaPress
Po ndodh...
ide
Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
PD-ja, si Firmë Piramidale!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128