Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
Metamorfoza që duhet të kalojnë politikanët shqiptarë është vërtet e frikshme. Vetëm e vetëm për të mbajtur pushtetin me thonj dhe për të zgjatur agoninë në karrige, ata tjetërsojnë jo vetëm veten e tyre, por edhe lavdinë që mund të kishin lënë pas.
Të tillë janë dy aktorët kryesorë të politikës shqiptare dhe të asaj që sot duket gjithnjë e më shumë si një demokraci hibride: Edi Rama dhe Sali Berisha.
Friedrich Nietzsche shkruante se pushteti nuk e ndryshon një njeri, por zbulon atë që ai është në të vërtetë. Nëse e shohim me qetësi politikën shqiptare sot, kjo fjali duket se shpjegon më mirë se çdo analizë atë se çfarë po ndodh me figurat që dikur quheshin “burra shteti” e tani po përfundojnë në kameleon elektoral.
I pari është njeriu që ka ngritur një mekanizëm mediatik pothuajse në perfeksion, atë që unë e kam quajtur “pushteti i thashethemeve”. Një mekanizëm që nuk përpiqet të përmirësojë realitetin, por të mohojë çdo gjë që nuk i shërben dhe të imponojë realitetin që ndërton vetë Edi Rama.
Edi Rama bërtiste fort nëpër studio se ai është njeriu që bëri reformën në drejtësi. Ai ishte garancia që SPAK nuk do të prekej dhe që çdo bashkëpunëtor i tij që kishte probleme me drejtësinë do të përballej vetë, jo ai, dhe jo Partia Socialiste si mburojë politike. Fliste për reforma çdo dy vite, për shtetformim, për transformimin e Policisë së Shtetit dhe për transformimin e Shqipërisë. Në fakt Edi Rama ju dha vetëm ngjyra institucioneve, por jo formë, njësoj si një piktor që interesohet për pamjen e jashtme por jo çfarë fshihet pas një punimi.
Në momentin e parë të provës reale, me Belinda Ballukun, gjithçka u përtyp. Edi Rama jo vetëm përtypi çfarë kishte thënë, por ngriti 82 kartonë politikë kundër SPAK. Tani ai po tenton të ndryshojë edhe disa ligje te Kodi i Procedurës, duke i dhënë qytetarëve mesazhin si tek Ferma e Kafshëve: “Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa kafshë janë më të barabarta.”
Bërtiste për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por edhe pse ka 13 vite që drejton jo vetëm që nuk kemi përmbushur asnjë standard, por BE-ja na është hakërruar me të drejtë, sepse kjo qeveri vodhi fondet e saj, dhe procesi i integrimit varet vetëm nga SPAK – ku kryeministri i vendit i quan “Republikë prokurorësh” dhe prokurorët “minj e qenë”, sepse ata guxuan të hynin në zemër të Kryeministrisë me kontrolle.
I dyti është Sali Berisha. Realisht, deri para disa vitesh e shikoja me admirim si një burrë shteti. Nuk e mohoj këtë të vërtetë: në shumë aspekte e konsideroja të tillë. Por koha, eksperienca dhe e vërteta e zhveshin një njeri nga aureola që kishte mbajtur.
Rikthimi i tij në krye të PD-së vetëm për interes personal dhe krijimi i një sërë narrativash mashtruese ndaj demokratëve e zhvesh përfundimisht atë figurë. Nga komplotet ndërkombëtare deri te fabulat për armiq të padukshëm, gjithçka sot duket më shumë si një përpjekje për mbijetesë politike sesa si një projekt për Shqipërinë.
Nga hapja e gjyqit në Francë, te vendimi i gjykatës në Britani, e deri te fabulat me Soros dhe Biden për non-gratën dhe trillimet se Trump do t’i hiqte atë, e bëjnë figurën e Berishës të duket më e vogël seç është. Kjo panoramë mbivendoset mbi supet e figurës së tij, e cila nuk mund ta mbajë peshën e madhe të kohës së kaluar, dhe e bën të rikthehet tek sulmet ndaj Lulzim Bashës.
Sot PD-ja është minus 300 mijë vota nga ajo që drejtonte Basha, është shumë më e përçarë dhe e shkatërruar, degët e PD-së po revoltohen dhe e djathta nuk po bashkohet, Berishës i duhen armiq të brendshëm. Prandaj i kthehet akuzave të pavërteta dhe trillimeve.
Dy ditë më parë Berisha iu rikthye sulmeve ndaj Bashës, duke nënkuptuar se Basha bashkëpunonte me Ramën, madje përdori një narrativë farsë pa asnjë fakt. Koha politike ka treguar se Basha nuk pranoi në asnjë moment të bashkëpunonte me Ramën dhe prandaj vula e PD-së i kaloi Berishës dhe këtë e ka thënë e publikisht edhe ish-deputeti i PD-së Ferdinand Xhaferri, që tregon se si Berisha i paralajmëronte për fatin e tyre politik.
Berisha ka harruar gjithashtu fjalët që thoshte për Bashën në sy të Edi Ramës para disa vitesh : “Mësoje çfarë ka bërë: kur ishte ministër i Punëve Publike ishte promotor jetik për Rrugën e Kombit; ishte ministër i Jashtëm, promotori kryesor i anëtarësimit në NATO; kur ishte ish-ministër i Brendshëm, realizoi vizat për shqiptarët, në një kohë kur ti betonoje Tiranën dhe nuk shisje asnjë pikturë jashtë shtetit. Edhe tri jetë të kesh ti, nuk matesh dot kurrë me ato që ka bërë Basha.”
Këto janë jo vetëm fjalë të sinqerta të Berishës, por edhe e vërteta e madhe: në 14 vite nuk i shohim një arritje Edi Ramës përveç emigrimit dhe korrupsionit.
Por sot ajo që i bashkon Berishën dhe Ramën nuk është ideali, vizioni apo përgjegjësia për qytetarët – jo. Është halli i përbashkët me SPAK-un dhe talenti i tyre i jashtëzakonshëm për t’u bërë kameleon elektoral. Ata që dikur quheshin burra shteti tani përtypin çdo fjalë që thonë, si personazhe në tregimin e tyre të preferuar, vetëm që të mos humbasin karrigen dhe pushtetin e përjetshëm, të paktën në botën e tyre imagjinare sepse historia politike ka treguar se nuk mund të kesh pushtet për jetë.
Prandaj historia nuk mban mend ata që mbajnë pushtetin me çdo kusht. Ajo kujton ata që nuk u frikësuan ta humbnin atë, ata që nuk u bënë pjesë e tragjedisë së vetvetes dhe, mbi të gjitha, ata që nuk u kthyen në kameleon elektoral vetëm e vetëm për të mbijetuar politikisht me çdo kusht./Mapo
Po ndodh...
ide
Rama-Berisha, nga burra shteti në Kameleon!
PD-ja, si Firmë Piramidale!
Pse Mimozat vyshken kaq herët në Shqipëri?
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128