“Kemi pasur naftë me bojë të manipulueshme”/ Rama: Do ngremë kompaninë shtetërore me Emiratet!

1 Prill 2026, 17:06 / POLITIKË ALFA PRESS
“Kemi pasur naftë me bojë të manipulueshme”/ Rama: Do

Kryeministri Edi Rama mbajti sot një takim (1 prill) me anëtarë të strukturave dhe mbështetës të PS-së në Njësinë nr. 4 në Tiranë, ku foli për tematika të ndryshme nga aktualiteti politik dhe ekonomiko-social.

Ai preku edhe krizën e karburanteve, ku shpjegoi se lufta në Iran ka rritur çmimet në mënyrë të shpejtë dhe të lartë që nuk vareshin nga qeveria, por shtoi se tani është ngritur edhe kompania shtetërore bashkë me Emiratet e Bashkuara Arabe për markimin e të gjithë karburantit dhe gjurmimin e tij, me qëllim që të mos kontrabandohet më.

“Ne sot kemi problem naftën që është goditur në çmim nga kriza, por që është një problem edhe përtej krizës, që të jemi të vërtetë me njëri-tjetrin. Ajo kriza e shkaktuar atje në ngushticën e Hormuzit dhe gjithë kjo që po ndodh, e ka rritur çmimin gjithandej, e ka çuar në stratosferë, sidomos në ca vende, shikoja më çonin ca miq nga Gjermania, tmerr, por ne tani, ndërkohë kjo na gjen në kohën kur ne kishim filluar, në fakt e kemi dhe unë e kam thënë që në fjalën e parë në asamble, mbasi fituam,  që ne do të hyjmë në tregun e naftës me një faktor publik, me një faktor shtetëror, me një kompani publike dhe pse do të hyjmë në tregun e naftës me një kompani publike në atë kohë, se s’kishte luftë në atë kohë, pra nuk kishte lidhje me luftën. Do të hyjmë për të garantuar që qytetarët, konsumatorët tanë të karburanteve, nuk detyrohen të paguajnë më shumë se sa ç’ju takon dhe për të siguruar që rezervat, dhe prandaj dhe kjo është një koincidencë, sepse ligji për rezervën strategjike që duhet të mbajë shteti, ligji i ri është në procesin e konsultimit, pra është bërë përpara”, u shpreh kreu i ekzekutivit.

Dhe më tej shpjegoi se si manipulohej markimi i karburanteve:

“Kemi pasur një naftë që ngjyrohej, markohej siç quhet, që vendoset një komponent kimik për të identifikuar naftën që hyn në mënyrë legale dhe jo kontrabandë. Ishte një koncesion i trashëguar. Ne u përpoqëm ta rregullojmë sa të mundeshim, po ishte bojë që hollohej kollaj apo sajohej kollaj”.

Kreu i mazhorancës tha se një pjesë e naftës është jashtë radarëve të shtetit dhe kontrabandohet duke shkaktuar dëm ekonomik, kurse distributorët fitojnë më shumë se çfarë duhet. Sipas tij, ky ligj dhe kompani e re do të rregullojë jo vetëm tregun, por edhe çmimin që të mos jetë abuziv.

“Tani, me kompaninë publike që kemi krijuar, kemi krijuar një tjetër kompani publike që është një kompani, e kemi krijuar bashkë me të njëjtën kompani që ka shteti në Emiratet e Bashkuara, ne do të nxjerrim për çështje 1-2 muajsh, sepse është në ato fazat e fundit, do të nxjerrim një tjetër ngjyrues që është i pamanipulueshëm dhe do ndihmojë shumë kjo për të formalizuar deri në fund tregun e naftës, sepse nga të gjitha analizat që bëjmë, ka një sasi nafte e cila është jashtë radarëve të shtetit. Tjetra që ndodh me naftën, është e ashtuquajtura naftë tranzit që hyn në Shqipëri për të shkuar në vendet që janë në kufij tokësor me Shqipërinë dhe që pastaj një pjesë e saj mbetet në Shqipëri, në mënyrë ilegale. Edhe për këtë kemi një produkt me po të njëjtën kompani që është kompani e shtetit shqiptar, ku shteti shqiptar ka aksione shumicën dhe miqtë tanë të Emirateve e kanë pjesën tjetër të aksioneve për të ndjekur të gjithë naftën tranzit, e cila deri më sot është ndjekur me makina. Këto do të kenë impaktin e tyre pozitiv. Ne jemi të bindur për këtë dhe ne duam që kompania publike të arrijë në pikën që të jetë furnizues në treg dhe duke qenë furnizues në treg, të përcaktojë rregullat e lojës, duke imponuar jo një çmim arbitrar që ta vendosë qeveria, por një çmim që është çmim real i bazuar tek bursa dhe patjetër që i jep mundësi distributorëve të fitojnë, por jo të stërfitojnë”, vijoi ai.

Kurse për procesin e integrimit, Rama u shpreh se Shqipëria e meritoi hapjen e shpejtë të negociatave nëpërmjet hapjes së të gjithë grupkapitujve me një kohë rekord, ndryshe nga vendet e tjera.

“Shiko, ne kemi sot, unë e kam bezdi gjithmonë të flas për rekorde, të flas për ne të kaq-tët, të aq-tët e tjerë e të tjerë, domethënë këto janë matje të momentit, por është e vërtetë që në krahasim me të gjitha vendet që kanë kryer procesin e negociatave nga fillimi deri në këtë fazë të procesit, ne kemi rekordin e hapjes së të gjithë kapitujve për nga shpejtësia. Natyrisht që, janë përputhur disa gjëra, është përputhur edhe gatishmëria e anës tjetër, pra e Bashkimit Europian, për të na e njohur meritën dhe për të na e dhënë notën që meritojmë në bazë të detyrave të shtëpisë”, tha ai.

Po ndodh...

ide