Tensione në Kuvend/ “Kumbaro në konflikt interesi. Ligji shkel parimet e BE”, Luçiano Boçi bllokon foltoren pas fjalës së ministres. Peleshi e përjashton nga salla

23 Prill 2026, 20:17 / POLITIKË ALFA PRESS

Tensione në Kuvend/ “Kumbaro në konflikt interesi. Ligji shkel

Seanca e pasdites në Kuvendin e Shqipërisë është zhvilluar me tensione mes PD e PS. Deputeti i PD Luçiano Boçi ka reaguar pas fjalës së ministres së Arsimit Mirela Kumbaro, ku paraqiti  projektligjin për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Shërbimeve Arsimore.

Menjëherë pasi ajo përfundoi prezantimin, Luçiano Boçi bllokoi për disa minuta foltoren.

Boçi deklaroi se ekziston një konflikt i hapur interesi, duke theksuar lidhjet institucionale të ministres me një fondacion që, sipas tij, përfshihet në strukturat vendimmarrëse të agjencisë së re.

“Ligji shqiptar e parashikon qartë konfliktin e interesit edhe në nivel institucional. Nuk mund të ndodhë që një fondacion me lidhje të tilla të ketë rol kyç në një bord ku merren vendimet kryesore,” u shpreh ai.

Sipas Boçit, projektligji cenon rëndë parimin e pavarësisë institucionale, pasi i jep ministrit kontroll të plotë mbi drejtimin e agjencisë, nga emërimi i drejtuesve dhe bordit, deri tek miratimi i vendimeve kryesore. Ai theksoi se kjo bie ndesh me standardet e BE-së, të cilat kërkojnë që agjencitë që administrojnë provime, vlerësime dhe njohje diplomash të drejtohen nga struktura të pavarura, të zgjedhura nga komuniteti akademik.

Por ka reaguar kryetari i Kuvendit duke u shprehur se nuk merret fjala kështu.

“Fjala nuk merret me vullnetin tuaj, merret sipas rregullores. Keni kërkuar fjalën për çfarë? S’është seancë pyetje-përgjigje, për replikë s’ju ka përmendur, s’keni replikë. Ju nuk e dini për çfarë e doni fjalën dhe kërkoni nga unë fjalën? Si merret fjala në parlament kur të duash?”, i tha kryeparlamentari duke i kërkuar të largohej nga foltorja.

Luçiano Boçi u rikthye për ta bllokuar foltoren pasi Ana Nako e Lindita Nikolla u larguan prej saj. Ngulmimi i tij çoi në marrjen e masave nga kryeparlamentari Peleshi, i cili përshkallëzoi deri në përjashtimin e tij nga seanca. Seanca rifillon pas 5 minutash.

Peleshi: Nuk thatë për replikë. Ju lutem, uluni! Uluni dhe mos ofendoni! Ju tërheq vëmendjen, jepet masa disiplinore tërheqje vëmendjeje!

Peleshi: Nuk paragjykoj, në këtë pikë të rendit të ditës fjala jepet një herë. Lironi foltoren! Po shkelni rregulloren! E morët fjalën 10 minuta dhe nuk ju është refuzuar! U ngritët herën e dytë dhe thjesht thatë dua të flas, pa e specifikuar. Merrni masën e dytë disiplinore, vërejtje! Sipas rregullores, nëse vazhdoni ta shkelni, merret masa e tretë, ju hiqet e drejta e fjalës për ditën e sotme! Mos vazhdoni të shkelni rregulloren!

Peleshi: Luçiano Boçin përjashtojeni nga salla! 5 minuta pushim derisa Boçi të lirojë sallën!

Po ndodh...