PD shpall garën për kryetarin e partisë, afati për kandidatët që duan të sfidojnë Berishën, deri nesër në 12.00!

29 Prill 2026, 15:07 / POLITIKË ALFA PRESS

PD shpall garën për kryetarin e partisë, afati për

Partia Demokratike ka nisur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri të saj. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale (KOKOE), i cili ka përcaktuar edhe hapat që do të ndiqen në këtë proces.

Sipas dokumentit, afati për dorëzimin e kërkesave për kandidim, së bashku me dokumentacionin përkatës, është caktuar data 30 prill, ora 12:00. Kandidatët duhet të paraqesin një kërkesë me shkrim, shprehje interesi, një CV dhe formularin e pastërtisë së figurës. Pra kushdo që kërkon që të sfidojë Berishën ka afat që të paraqesë kandidaturën, deri nesër në orën 12.00 të drekës!

Në vendim janë përcaktuar edhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetar të PD-së. Ata duhet të jenë anëtarë të PD-së me profil të lartë publik dhe politik, me të paktën 10 vite angazhim politik dhe elektoral në parti.

Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike, si dhe përmbushja e kritereve ligjore për integritetin e personave që ushtrojnë funksione publike.

Vendimi ka hyrë në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë procesit për zgjedhjen e drejtuesit të ri të Partisë Demokratike.

Kryetari aktual i PD-së Sali Berisha ka bërë me dije se do të kandidojë sërish, ndërkohë që pritet të shihet nëse përballë tij do të lejohet ish deputeti Ervin Salianji, i cili gjithashtu s’e ka fshehur ambicien.

Berisha ka argumentuar se ai është “vetëpërjashtuar” pas lëvizjes që nisi brenda strukturave të partisë ndërsa kohët e fundit ka pasur akuza të ndërsjella ndaj të dyja palëve. Kujtojmë që data për zgjedhjen e kryetarit të ri është vendour më 23 maj.

Po ndodh...