Pas rikonfirmimit si kryetar, Berisha mbledh sot kryesinë e PD, gati ndryshimet në statut, neni “Basha” mbetet në letër

27 Maj 2026, 14:58 / POLITIKË ALFA PRESS
Pas rikonfirmimit si kryetar, Berisha mbledh sot kryesinë e PD, gati

Këtë të mërkurë pritet të mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike, ku në fokus do të jenë një sërë ndryshimesh statutore, të hartuara vetëm pak ditë para mbledhjes së Këshillit Kombëtar të 30 majit. Sipas burimeve për mediat, mbledhja në selinë blu është parashikuar të nisë në orën 19:00, ndërsa drafti i ndryshimeve ende mbahet larg syrit të publikut.

Mësohet se ndryshimet që prekin “Kushtetutën” e Partisë Demokratike do të jenë kryesisht të natyrës organizative, duke përfshirë riformatime në strukturat drejtuese dhe kuotat për përfaqësimin e kategorive të caktuara në listat për deputetë apo kandidatë për bashki. Megjithatë, një nga pikat që nuk pritet të preket është pikërisht i ashtuquajturi “neni Basha”, i miratuar vite më parë për të detyruar kryetarin e partisë të japë dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve.

Ironikisht, ndonëse ky nen vijon të mbetet në fuqi, ai duket se ka humbur vlerën në momentin kur u desh të zbatohej nga vetë lidershipi aktual. Ish-kryeministri dhe kreu i PD-së, Sali Berisha, zgjodhi të mos e respektojë këtë parashikim statutor pas humbjes përballë kryeministrit Edi Rama në zgjedhjet e 11 majit. Një “Kushtetutë partie” që funksionon për të tjerët, por jo domosdoshmërisht për atë që mban vulën dhe drejtimin politik të saj.

Edhe pse brenda vetë demokratëve nuk kanë munguar kritikat për mënyrën sesi po funksionojnë primaret, ky mekanizëm nuk pritet të ndryshohet. Burime pranë selisë blu bëjnë me dije se ndryshimet do të jenë më tepër organizative, ndërsa thelbi i statutit do të mbetet i paprekur.

Vula finale e këtyre ndryshimeve do të vendoset në Kuvendin Kombëtar të 30 majit, ku delegatët pritet të votojnë jo vetëm amendimet statutore, por edhe përbërjen e re të Këshillit Kombëtar.

Mbledhja e Kryesisë vjen vetëm pak ditë pasi Partia Demokratike zhvilloi zgjedhjet e brendshme, ku Sali Berisha ishte emri i vetëm në fletën e votimit dhe u rikonfirmua në krye të partisë me 37 mijë e 341 vota.

Po ndodh...

ide