“Po luani me zjarrin!”/ Tony Blair sulmon ashpër qeverinë laburiste: Po e çoni Britaninë jashtë elitës së kombeve! S’keni plan koherent për vendin

27 Maj 2026, 13:29 / BOTA ALFA PRESS

“Po luani me zjarrin!”/ Tony Blair sulmon ashpër qeverinë

Ish-kryeministri britanik Tony Blair ndërmori të mërkurën një sulm të ashpër ndaj qeverisë laburiste, duke paralajmëruar se partia e tij po “luan me zjarrin” dhe rrezikon ta zhysë Britaninë jashtë elitës së kombeve (“Premier League of nations”).

Në një ese të gjatë prej 5,700 fjalësh, të publikuar nga Instituti Tony Blair për Ndryshim Global, ish-lideri britanik akuzoi Partinë Laburiste se vuan nga një “kapacitet pothuajse i pafund për vetë-mashtrim”, vetëm pak më pak se dy vite pasi Keir Starmer udhëhoqi partinë drejt një fitoreje dërrmuese, duke formuar qeverinë e parë laburiste pas 14 vitesh.

Ndërhyrja e Blair vjen vetëm disa javë përpara një zgjedhjeje të pjesshme, e cila mund të rikthejë në Parlament kryebashkiakun e Greater Manchester, Andy Burnham, i cili potencialisht mund të sfidojë Starmer për drejtimin e partisë.

Por Blair, i cili vuri në dukje faktin se ka fituar tri herë zgjedhjet si lider, argumentoi se problemi kryesor i qeverisë aktuale nuk lidhet as me “personalitetin e Keir-it” dhe as me “mungesën e komunikimit”, por me mungesën totale të një “plani të qartë dhe koherent për vendin”.

Në ese, ai i bën thirrje Laburistëve të shmangin zhvendosjen drejt së majtës dhe të ndjekin një axhendë politike të “qendrës radikale”, nëse duan të qëndrojnë në pushtet. Sipas Blair, kjo përfshin përballjen serioze me politikat mbi inteligjencën artificiale, kufizimin e shpenzimeve për pensionet dhe lehtësimin e kufizimeve për shpimet e naftës dhe gazit.

“Të përpiqesh të largosh kryeministrin para se të dimë se çfarë drejtimi politik do të marrim, nuk është një mënyrë serioze për të vepruar,” paralajmëroi ai.

Blair goditi drejtpërdrejt edhe shtyllat kryesore të politikave moderne laburiste, duke kritikuar disa nga figurat më të rëndësishme të qeverisë dhe iniciativat e tyre kryesore: objektivat për emetimet neto zero të ministrit të Energjisë Ed Miliband, politikën fiskale ndaj biznesit të ministres së Financave Rachel Reeves dhe paketën për të drejtat e punëtorëve të ish-zëvendëskryeministres Angela Rayner.

“Të marra së bashku, këto masa i kanë krijuar pengesa biznesit britanik, në vend që ta ndihmojnë atë, pavarësisht përfitimeve makroekonomike për të cilat kancelarja meriton vlerësime,” argumentoi ai.

As rivalët e mundshëm të Starmer nuk shpëtuan nga kritikat. Blair sulmoi Andy Burnham për afrimin e tij me politika më të majta në taksa dhe shpenzime, ndërsa kritikoi edhe ministrin e Shëndetësisë Wes Streeting, i konsideruar më centrist, për qëndrimet mbi taksën e fitimeve kapitale dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian.

Reagimet ndaj deklaratës së Blair nga deputetët laburistë ishin të përziera, ndërsa qeveria reagoi shkurt. Chris Curtis, kryetar i grupit laburist të fokusuar te reformat ekonomike dhe rritja, deklaroi për BBC se eseja ishte një lexim “freskues”, që trajtonte çështje madhore me të cilat përballet Britania.

Nga ana tjetër, ministri i Thesarit, Dan Tomlinson, duke reaguar në emër të qeverisë për Times Radio, tha se megjithëse ishte “gjithmonë i interesuar për kontributin e ish-kryeministrave”, argumenti i Blair “ka të bëjë në thelb me përplasjen mes Laburizmit të Ri dhe Laburizmit të Vjetër” dhe se “kjo nuk është më situata ku ndodhemi sot”.

Ai shtoi: “Qeveria aktuale është e fokusuar te puna konkrete për të përballuar problemet me të cilat përballen qytetarët në Britaninë moderne të mesit të viteve 2020, plot 30 vite pas debateve dhe qasjes politike që Tony Blair promovonte këtë mëngjes.”

Po ndodh...

ide