Neni 20 për Zonat e Mbrojtura/ Pse u justifikua tani Rama për ndryshimin e ligjit?

Për çdo ditë, në dy javët e fundit, Edi Rama ka bërë të pamundurën që të projektojë tek njerëzit përreth, imazhin e një lideri që nuk lëkundet përballë stuhisë. Ai ka zgjedhur të mos tregojë asnjë shenjë pasigurie përballë protestës më të madhe që ka parë vendi në dekada, duke iu kundërvënë protestuesve me një gjuhë gjithnjë e më të ashpër.
I është hakërryer si një i xhindosur masës së njerëzve që marshojnë çdo mbrëmje përballë kryeministrisë me etiketime nga më të rëndat. I ka krahasuar protestuesit me këmishëzinjtë fashistë që marshonin në Italinë e Musolinit; ka thënë se parrulla e protestuesve “Shqipëria e shqiptarëve” i sjell ndërmend koret naziste në rrugët e Berlinit. Revoltën e dhjetëra mijëra qytetarëve e ka shpjeguar si produkt të ndërhyrjeve të jashtme, të fqinjëve xhelozë apo edhe të Iranit; edhe sot ndërsa hidhte dozën e baltës në rrjetet sociale, ai i quajti protestuesit “hajvanë”.
Vetëm se në këtë përpjekje për t’u shfaqur i pathyeshëm dhe i paprekshëm, ra në sy një status në rrjetet sociale që kalon nga sulmet e zakonshme, tek mbrojtja për një akuzë konkrete, për një nen konkret. se ndryshimet që u bënë në vitin 2024, në ligjin për Zonat e Mbrojtura u bënë për t’i hapur rrugë investimit në Nartë.
Në një status të gjatë, Rama shpjegon disa momente të projekteve në Sazan dhe në Zvërnec, por bie në sy fakti se ai merret me detaje konkrete të ligjit që ndryshoi në shkurt të vitit 2024 me një grup deputetësh anonimë.
Sipas Ramës, nuk është e vërtetë që ligji për Zonat e Mbrojtura të jetë ndryshuar për investimin në Nartë, siç është raportuar deri më tani. Ai përpiqet të shpjegojë se zona “Pishë Poro-Nartë” nuk e ka humbur kurrë statusin e saj si “Peizazh i Mbrojtur” dhe se pika 4 e nenit 20 të ligjit nuk është prekur nga ndryshimet e vitit 2024.
Por kjo nuk është e gjithë historia.
Lapsi.al verifikoi ndryshimet e ligjit që u bënë për Zonat e Mbrojtura dhe ajo që kryeministri nuk përmend është se socialistët ndryshuan pothuajse të gjithë pjesën tjetër të nenit 20.

Në ligjin e ri, Peizazhi i Mbrojtur nuk paraqitet më vetëm si një hapësirë që duhet ruajtur, por edhe si një territor që “krijon mundësi për zhvillime bashkëkohore si veprimtari turistike/agroturistike apo veprimtari të tjera ekonomike të qëndrueshme”. Po ashtu është hequr formulimi që fliste për “kufizimin, eliminimin dhe parandalimin” e aktiviteteve të papërshtatshme, ndërsa në vend të tij është shtuar koncepti i “lejimit të ndërhyrjeve urbane, rekreacioni apo ekonomike brenda zonës”.
Ndryshimet nuk mbarojnë këtu. Ligji i ri i vitit 2024 i dha më shumë rol vendimmarrjes së qeverisë dhe Këshillit Kombëtar të Territorit. Në nen janë shtuar dispozitat që “Në VKM-në e shpalljes së zonës së mbrojtur caktohen veprimtaritë e lejuara dhe të ndaluara” dhe se “Këshilli Kombëtar i Territorit” miraton rregullat për lejet e zhvillimit dhe ndërtimit. Kjo do të thotë se mënyra se si do të zbatohen kufizimet apo lehtësitë për zhvillim brenda zonës së mbrojtur varet më shumë nga vendimet administrative sesa nga vetë teksti i ligjit.
Me fjalë të tjera, statusi formal i mbrojtjes mbetet i njëjtë, por hapësira për zhvillime turistike dhe ekonomike brenda tij bëhet dukshëm më e gjerë.
Natyrisht, mbetet ende për t’u provuar nëse këto ndryshime ligjore janë përdorur realisht për të favorizuar projektin në Zvërnec apo pronarët e tokave ku do të zhvillohet investimi. Kjo është një çështje që kërkon verifikim të mëtejshëm dhe dokumente konkrete, aq më tepër që mes pronarëve që përfituan është edhe Artur Shehun, personazhi i famshëm i botës së krimit që u mor i pandehur nga SPAK pikërisht për aferat me pronat e Zvërnecit.
Por pyetja që lind pas statusit të Ramës është një tjetër. Kujt po i përgjigjet ai sot? Ligji për Zonat e Mbrojtura është miratuar më shumë se dy vite më parë. Ndryshimet kanë qenë publike dhe të votuara në Kuvend. Për një kohë të gjatë, ato nuk prodhuan asnjë nevojë për sqarime kaq të hollësishme nga vetë kryeministri.
Në shpjegimin e papritur që ka dhënë në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama flet për lajme të rreme që “kanë lënduar padrejtësisht integritetin e padiskutueshëm moral, ligjor dhe profesional, që shteti dhe administrata shqiptare kanë treguar në të gjithë procesin e trajtimit të këtij investimi”. Megjithatë vetë fakti që kryeministri e ndjeu të nevojshme të japë këtë shpjegim kaq të detajuar, mund të jetë tregues se ndoshta presioni nuk po i vjen vetëm nga sheshi përballë Kryeministrisë, por edhe nga ndonjë verifikim tjetër, që kërkon shpjegime me ligje dhe nene konkrete, jo me ofendimet dhe sharjet e përroit psiqik./Lapsi.al
Po ndodh...
ide
Rama e Berisha, beteja e humbur me opinionin
Trash apo Treasure?/ Ka fotografi që vlejnë sa një histori
Aleanca e qytetarëve me SPAK-un imperativ historik!
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128