Meta ankohet në GJKKO për trajtimin në seancë, kërkon të mos qëndrojë i izoluar pas xhamave

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i është drejtuar Gjykatës së Posaçme me një kërkesë lidhur me mënyrën e trajtimit të tij si i paraburgosur gjatë seancave gjyqësore.
Në parashtrimet e mbrojtjes, pretendohet se mënyra e vendosjes së Metës në sallën e gjyqit përbën shkelje të nenit 3 dhe nenit 30 të Kushtetutës së Shqipërisë, si dhe të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke cenuar prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
Avokati i tij, Kujtim Cakrani, deklaroi se kërkesa synon që ish-presidenti të qëndrojë pranë mbrojtësit të tij gjatë gjithë procesit gjyqësor, me qëllim garantimin e një gjykimi të drejtë dhe barazisë së palëve.
Sipas tij, mbajtja e të pandehurit në “kafaz me xhama” gjatë seancave është diskriminuese dhe paragjykuese, duke e bërë të vështirë komunikimin konfidencial mes të akuzuarit dhe avokatit.
Ilir Meta është arrestuar më 21 tetor 2024 dhe ndaj tij rëndojnë akuza për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Sipas hetimeve të SPAK, ai dhe deputetja Monika Kryemadhi dyshohet se kanë favorizuar kompani private dhe janë përfshirë në aktivitete të dyshuara financiare, përfshirë lobime dhe transaksione të ndryshme.
SPAK ka përfunduar hetimet më 28 korrik dhe dosja është dërguar për gjykim në fund të gushtit.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128