Interpelanca për portin e Porto Romanos, Kapri: Rrezikohet Korridori 8 dhe roli ynë strategjik! Dhoma Amerikane e Tregtisë ngriti alarm te kryeministri

16 Prill 2026, 12:23 / POLITIKË ALFA PRESS

Interpelanca për portin e Porto Romanos, Kapri: Rrezikohet Korridori 8 dhe

Deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri, ka zhvilluar një interpelancë me ministrin e Infrastrukturës, Enea Karakaçi, lidhur me ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano.

Gjatë fjalës së tij, Kapri theksoi rëndësinë strategjike të projektit, duke u shprehur se: “Korridori 8 është projekti më i rëndësishëm i shqiptarëve dhe porti i Durrësit përcakton nëse vendi do të jetë vend periferik apo nyjë strategjike e ekonomisë evropiane. Por nuk është vetëm ekonomi, por infrastrukturë kyçe për sigurinë e NATO-s.”

Ai nënvizoi se Perëndimi ka filluar të veprojë konkretisht, duke shtuar: “Janë siguruar fondet për ndërtimin e hekurudhës Durrës–Qafë Thanë me rreth 500 milionë euro financim.” Megjithatë, sipas tij, kjo vepër rrezikohet nga zhvillimet që lidhen me portin aktual dhe projektin e ri: “Por ndërtimi i kësaj vepre rrezikohet nga shkatërrimi i portit të Durrësit, qoftë me heqjen e portit aktual qoftë me portin e ri me kapacitet më të vogël. Këtu ka një problem.”

Kapri ngriti dyshime mbi mënyrën se si është menaxhuar projekti, duke deklaruar: “Si ka mundësi që po rrezikohet vepra më e madhe strategjike e shqiptarëve? U anulua tenderi për portin e ri pa dhënë llogari dhe pa mbajtur garancinë prej 8 milionë eurosh kompanisë që qëndroi në garë dhe u tërhoq më pas.” Ai shtoi gjithashtu se gjatë garës janë përjashtuar kompani të njohura ndërkombëtare dhe se “kjo çështje është në SPAK”.

Duke iu referuar një komunikimi zyrtar, Kapri bëri të ditur: “Në email ju ka ardhur juve, kryeministrit dhe drejtorit të portit një kërkesë nga një personalitet, kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri.” Më tej ai citoi mesazhin: “Portet ndërtohen një herë në shekull dhe gabimet strategjike mund të ndikojnë fatin e një vendi. Nëse Porto Romano ndërtohet me shkallën e vogël strukturore, Korridori 8 do dështojë dhe flukset e mallrave do kapen nga Pireu dhe Selaniku, duke e lënë Shqipërinë të mënjanuar.”

Në vijim, deputeti vuri në dyshim deklaratat për ndërhyrje të huaja, duke pyetur: “Si ka mundësi që një forcë e huaj jo miqësore me vendin qenka kundër një porti më të vogël, sepse e kundërta do ishte e vërtetë. Një forcë jo miqësore do kërkonte që ne të kishim një port më të vogël.”

Në fund, Kapri drejtoi një sërë pyetjesh për ministrin Karakaçi: “Duam të dimë cilat janë këto forca të huaja që po sabotojnë portin e Durrësit? A ishin këto forca të huaja që zaptuan tenderin dhe përjashtuan kompanitë e mëdha perëndimore nga gara? Çfarë do ndodhë me portin aktual, rrezikojmë të mbetemi pa portin më të madh? A do hapni tender të ri? Projekti i ri a do jetë i njëjti, që është shumë herë më i vogël se porti aktual? Së fundmi, a keni ndërmend të fusni sërish duart në tender duke përjashtuar kompani me buxhete dhjetëra miliarda dollarë dhe të mbani kompani që janë regjistruar në off shore?”

Po ndodh...

ide