Ilir Meta, kafazi dhe gjethja e zverdhur, pse gjyqi i ish-presidentit është një paralajmërim se pas tij radhën e ka Edi Rama dhe Sali Berisha?!

Nga Rigels Seliman
Unë gjithmonë kam qenë mbështetës i Reformës në Drejtësi dhe i rolit që ka marrë Prokuroria e Posaçme (SPAK) në goditjen e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Po ashtu, nuk kam kursyer asnjëherë kritikat ndaj Ilir Metës, Sali Berishës, Edi Ramës dhe në thelb ndaj gjithë klasës politike që për dekada e ka mbajtur Shqipërinë peng të interesave të veta. Për mua ka qenë gjithmonë e qartë, se, kush ka abuzuar me pushtetin duhet të japë llogari, pavarësisht emrit apo postit që ka mbajtur.
Por teksa pashë dje Ilir Metën në sallën e gjyqit (GJKKO), të mbyllur pas xhamit, të zverdhur, të lodhur, pothuajse i tretur fizikisht si një gjeth që bie në fundvjeshtë, ndjeva diçka që shkonte përtej debatit të zakonshëm politik. Për një çast, nuk po shihja më thjesht një ish-president, ish-kryeministër, ish-kryetar Kuvendi apo një figurë të polarizuar politike. Po shihja rrënimin brutal të një njeriu dhe, bashkë me të, një simbolikë të fortë mbi mënyrën se si pushteti mbaron.
Pamja ishte tronditëse. Jo sepse Ilir Meta nuk duhet të përballet me drejtësinë - përkundrazi, nëse akuzat e SPAK provohen nga Gjykata e Posaçme (GJKKO), ai duhet të ndëshkohet si kushdo tjetër. Por sepse ai imazh ngrinte një pyetje të pakëndshme: ku mbaron drejtësia dhe ku fillon spektakli i ndëshkimit publik?
Drejtësia ka për detyrë të dënojë fajin, jo të prodhojë skena poshtërimi. Një shtet i së drejtës matet jo nga mënyra si trajton qytetarët model, por nga mënyra si trajton edhe të akuzuarit, madje edhe ata që publiku mund t’i urrejë. Kur arresti me burg fillon të perceptohet si një dënim paraprak dhe ekspozimi publik si pjesë e procesit, lind rreziku që drejtësia të shihet jo më si e paanshme, por si instrument i zemërimit kolektiv.
Dhe pikërisht këtu rasti i Metës merr dimension më të madh. Ai nuk është më vetëm historia personale e një politikani në rënie. Ai është një kambanë alarmi për gjithë elitën politike shqiptare. Sot në atë kafaz ishte Meta. Nesër, nëse drejtësia do të jetë vërtet e barabartë, në të njëjtën pozitë mund të shohim edhe figura të tjera si Rama apo Berisha.
Pikërisht ky duhet të jetë mesazhi i reformës në drejtësi: askush nuk është i paprekshëm. As ata që kanë qeverisur dje, as ata që qeverisin sot. Por ky mesazh humbet forcë nëse shoqërohet me perceptimin e një drejtësie që dënon publikisht njeriun përpara se të përfundojë procesi.
Ka ardhur koha që edhe perceptimi mbi burgun dhe paraburgimin në Shqipëri të rishikohet. Publiku shpesh e trajton burgun si një koncept abstrakt, pothuajse si një privilegj i kufizuar për VIP-at. Në realitet, kushtet, izolimi dhe konsumimi psikologjik mund të jenë shumë më të ashpra nga sa mendohet. Për këtë arsye duhet më shumë transparencë, madje më shumë informacion mbi proceset, kushtet dhe mënyrën si zbatohet masa e arrestit me burg.
Në fund, ajo që pashë dje tek ish-presidenti Ilir Meta nuk më ngjalli simpati politike. Ai mbetet një figurë që kam kritikuar dhe vazhdoj ta shoh si pjesë të problemit shqiptar. Por ajo pamje më kujtoi diçka themelore: pushteti është iluzion kalimtar. Njerëzit që duken të pathyeshëm mund të përfundojnë të vetëm, të zbehur dhe të rrënuar, përballë një sistemi që dikur mendonin se mund ta kontrollonin.
Gjethja e zverdhur që pashë dje pas xhamit nuk ishte vetëm Ilir Meta. Ishte metafora e një klase politike që po hyn në stinën e saj më të ftohtë. Dhe pyetja tani është e thjeshtë: kush do të jetë gjethja tjetër që do të bjerë?
Po ndodh...
Berisha dhe vogëlsia e një kryetari, përballë modelit Abdixhiku
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128