Hidhen në erë me tritol, vilat luksoze pa leje të ish-deputetit të PS

7 Nëntor 2025, 17:57 / POLITIKË ALFA PRESS

Hidhen në erë me tritol, vilat luksoze pa leje të ish-deputetit

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur sot, përmes një shpërthimi të kontrolluar me eksploziv disa vila të cilat ishin ndërtuar në zonën e Farkës, në pronësi të ish-depteutetit të Partisë Socialiste Vladimir Kosta.

Ka qenë kryeministri Edi Rama ai i cili ka publikuar pamjet e momentit kur tre vilat në Rezidencën “Olive Park”, të cilat ishin jashtë ndërtuar lejes së ndërtimit, janë hedhur në “erë”.

“Nuk mund të ndërtohen vila të shtrenjta për qëllime fitimi në dëm të ligjit e në kurriz të komunitetit. Operacioni nuk do të ndalet askund dhe përballë askujt, deri kur asnjë të mos e mendojë fare më se mund të ndërtojë metra katrorë pa leje”, shkruan Rama.

Ditën e sotme, ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, e shoqëruar nga forcat e policisë dhe inspektorët e IKMT-së, u rikthye në zonën e Farkës për të vijuar aksionin për lirimin e hapësirave të zëna nga ndërtimet pa leje.

Gjatë këtij aksioni u shembën me tritol tre vila në këtë zonë, si dhe iu vendos shiriti i bllokimit nga IKMT, 10 të tjerave pasi dyshohet se janë ndërtuar jashtë kushteve të lejës së dhënë.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Koçiu, e cila drejtori personalisht aksionin në terren, theksoi se operacioni për vendosjen e ligjshmërisë mbi territorin do të vijojë pa kompromis. Sipas saj, kontrollet e fundit kanë zbuluar se shkeljet nuk lidhen vetëm me qytetarë që ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, por edhe me mungesën e përmbushjes së detyrës nga vetë punonjës publikë.

“Vijojmë me operacioni për vendosjen e ligjshmërisë mbi territor. Kontrollet kanë treguar se abuzimet nuk janë vetëm çështje individësh, pro edhe me mospërmbushje të detyrës së punonjësve publikë. Askush nuk do të mbrohet, pavarësisht pozicionit që mban. Ligji është i barabartë për të gjithë. Në këtë proces ndërtuesit duhet të jenë të parë t që të tregojnë kujdes, shfrytëzimi i çdo metri katror më shumë nga ajo që është lejuar do të penalizohet rëndë me gjobë, ndjekje penale dhe prishje të menjëhershme”, tha Koçiu.

Vetë ministrja ka marrë në “dorë” drejtimin e këtyre aksioneve. Jo më larg se disa ditë më parë, më 3 nëntor, Koçiu zbarkoi në zonën e liqenit të Farkës, në Rezidencës “Olive Park”.

E shoqëruar nga Policia e Shtetit dhe inspektorët IKMT-së, bënë të mundur rrethimin e vilave elitare të kësaj rezidencë e cila rezultoi të ishte në pronësi të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Vladimir Kosta. Ndërkohë ditën e sotme është bërë e mundur komplet prishja e disa prej këtyre vilave.

Po ndodh...

ide