Irani po vendos mina në Ngushticën e Hormuzit, reagon ashpër Trump: Do t’ju kushtojë rëndë!

10 Mars 2026, 22:05 / BOTA ALFA PRESS
Irani po vendos mina në Ngushticën e Hormuzit, reagon ashpër

Duket se Irani po ndërmerr një hap të fortë për të destabilizuar jo vetëm ekonomitë e vendeve armike, por edhe aleate si Kina dhe Rusia. Situata në Ngushticën e Hormuzit duket se po përshkallëzohet në mënyrë të rrezikshme. Agjencitë e inteligjencës amerikane kanë zbuluar lëvizje që tregojnë për një vendosje të mundshme të minave detare nga Irani. Zyrtarët iranianë paralajmërojnë se anijet ushtarake amerikane dhe anijet e aleatëve të SHBA-së, do të jenë “objektiva lëvizës” nëse përpiqen të kalojnë nëpër kanalin e rëndësishëm detar.

Sipas dy personave që kanë parë raportet përkatëse nga agjencitë e inteligjencës amerikane, dhe të cituar nga rrjetet amerikane të lajmeve si CNN dhe CBS News, Irani ka filluar tashmë vendosjen e minave në kanalin detar të Ngushticës së Hormuzit, rruga më e rëndësishme e energjisë në botë, përmes së cilës kalon rreth 1/5-ta e tregtisë botërore të naftës bruto. Për momentin, vendosja e minave nuk duket të jetë e madhe, por disa dhjetëra mina janë vendosur ditët e fundit.

Megjithatë, Irani ruan aftësi të konsiderueshme për të përshkallëzuar operacionin. Sipas njërit prej burimeve, forcat iraniane kanë ende rreth 80% deri në 90% të barkave të tyre të vogla të shpejta dhe të pajisjeve të vendosjes së minave në këtë zonë. Kjo do të thotë se nëse zgjedhin ta bëjnë, mund të vendosin qindra mina në këtë kanal detar.

Garda Revolucionare, e cila në fakt kontrollon Ngushticën e Hormuzit së bashku me marinën tradicionale iraniane, ka aftësinë të vendosë një gamë të gjerë minash në zonë. Sipas të njëjtave raportime, minat që ka Irani janë të prodhimit iranian, kinez dhe rus. Numri i saktë e këtyre minave mbetet i panjohur, por vlerësimet e cituara nga CBS e vendosin numrin midis 2,000 dhe 6,000.

Garda Revolucionare kishte paralajmëruar më herët se çdo anije që përpiqej të kalonte nëpër Ngushticën e Hormuzit do të ishte në shënjestër. Që nga fillimi i konfliktit, kanali detar është konsideruar në thelbësor për anijet. Burimet që folën me CNN e përshkruan situatën si jashtëzakonisht të rrezikshme, duke e karakterizuar zonën si një “luginë vdekjeje” për anijet që përpiqeshin ta kalonin atë.

Në një postim të fundit, pas publikimeve amerikane, Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump deklaroi se deri më tani nuk ka asnjë raport të konfirmuar se Irani ka vendosur mina. “Nëse Irani ka vendosur mina në Ngushticën e Hormuzit (nuk kemi asnjë raport që ata kanë) ne duam që ato të hiqen menjëherë”, shkroi ai në Truth Social.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu se, përndryshe, do të ketë pasoja serioze.

“Nëse për ndonjë arsye vendosen mina dhe ato nuk hiqen menjëherë, pasojat ushtarake për Iranin do të jenë në një nivel që nuk është parë kurrë më parë”, – vuri në dukje ai, duke shtuar se, nëse minat që mund të jenë vendosur hiqen, “ky do të ishte një hap i madh në drejtimin e duhur”.

Më herët sot, komandanti detar i Gardës Revolucionare paralajmëroi se çdo anije ushtarake amerikane ose e aleatëve të tyre që kalon nëpër Ngushticën e Hormuzit do të ishte në shënjestër.

Kjo pasoi një deklaratë nga Sekretari i Energjisë i SHBA-së Chris Wright, i cili tha se Marina Amerikane kishte shoqëruar një anije cisternë nafte përmes Ngushticës. Postimi përkatës u botua në platformën X, por u fshi pak kohë më vonë.

Kreu i marinës së Gardës Revolucionare, Alireza Tangsiri, e hodhi poshtë pretendimin. “Pretendimi se një anije cisternë nafte kaloi nëpër Ngushticën e Hormuzit me një eskortë ushtarake amerikane është plotësisht i rremë. Çdo kalim i flotës amerikane dhe aleatëve të saj do të ndalet nga raketat dhe dronët iranianë”, vuri në dukje ai.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi komentoi nëpërmjet X se “zyrtarët amerikanë po përhapin lajme të rreme për të manipuluar tregjet. Kjo nuk do t’i mbrojë ata nga cunami inflacionist që u kanë imponuar amerikanëve”.

“Tregjet po përballen me mungesën më të madhe në histori – më të madhe se embargoja arabe e naftës, revolucioni islamik në Iran dhe pushtimi i Kuvajtit së bashku”, përfundoi ai.

Po ndodh...