Hetimet për Ballukun / SPAK troket në derën e drejtoreshës së re të KESH-it, e besuara e zv.kryeministres

26 Dhjetor 2025, 19:09 / POLITIKË ALFA PRESS

Hetimet për Ballukun / SPAK troket në derën e drejtoreshës

Prokuroria e Posaçme ka vijuar këtë të premte kontrollet në kuadër të hetimeve ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Raportohet se SPAK ka  “trokitur” te Viola Haxhiademit, drejtores së re të KESH-it.

Haxhiademi në krye të KESH-it  e cila vjen si zëvendësuese e Erald Elezit, ish-drejtor i institucionit, tashmë nën hetim për shkelje të barazisë në tenderë dhe i përfshirë në dosjet e Tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe.

Ironia? Elezi u largua për shkak të hetimeve, por vendin e tij e zuri një tjetër figurë e afërt me ministren Balluku. Pra, ndryshoi emri në derë, por jo rrethi i besimit.

Viola Haxhiademi, më parë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës, konsiderohet pjesë e rrethit të ngushtë të ministres Balluku. Me fjalë të tjera, largimi i një drejtuesi nën hetim nuk solli distancim nga të besuarit e Belës, por vetëm një rotacion brenda së njëjtës skemë.

Gjithashtu raportohet se kontrolle janë zhvilluar edhe tek:

Gentian Gjyli, ish-drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, aktualisht i pandehur dhe në masën “arrest shtëpie”

Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it, i pandehur dhe në arrest shtëpie

Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço, të lidhur me kompani ndërtimi përfituese të tenderëve publikë

Ndërkohë, më herët gjatë ditës u raportua se kontrolle janë ushtruar edhe ndaj Sindi Dushkut, drejtoreshë e kabinetit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila është marrë në pyetje nga hetuesit.

Zv/kryeministrja Belinda Balluku akuzohet për paracaktim të fituesve në tenderin e ndërtimit të Tunelit të Llogarasë, si edhe për shkelje në procedurat e lidhura me dosjen e Unazës së Madhe.

Më 31 tetor, SPAK e mori zyrtarisht të pandehur, ndërsa pak ditë më parë ka kërkuar nga Kuvendi heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e saj.

Po ndodh...