Berisha 4 vite Foltore për "grupet armiqësore" brenda PD, po një kundër Ramës kur do ta bëj?!

Në “Këngën e Krishtlindjes” të Dickens-it, plaku Ebenezer Scrooge përballet me tre shpirtra që i tregojnë të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, në momentet kur vetë ai ka zgjedhur lakminë mbi njerëzit, paratë mbi dashurinë, egon mbi marrëdhëniet, me qëllim ta detyrojnë të kuptojë se problemi nuk janë të tjerët, por ai vetë.
Dhe kur lexon sulmet e reja të Sali Berishës ndaj Lulzim Bashës nga Foltorja 2.0, në këtë klimë festash, është e pamundur të mos ta shohësh këtë histori si një version tonin politik të Dickens-it, por pa fundin e lumtur.
Berisha sot i është kthyer Bashës me të njëjtin fjalor, të njëjtën logjikë, të njëjtin obsesion. Por ka një detaj që Berisha nuk e prek kurrë: midis Foltores së parë dhe Foltores 2.0, ai vetë nuk ka mbajtur asnjë nga premtimet që i bëri demokratëve.
U premtua bashkimi i PD-së; sot ka më shumë copa se kurrë. U premtua hapje dhe primare; sot vendimmarrja është e përqendruar më shumë se kurrë te një njeri. U premtua fitore ndaj Ramës, por krahasimi i rezultatit të 2021 me rezultatin e Berishës së rikthyer është një gropë e madhe dhe e errët që nxin autorin e zotimeve. U premtua një parti sovraniste që “nuk do të pyeste për ndërkombëtarët”, por sot janë gjithë sy e vesh nga partnerët, ashtu siç ishin kur partia ishte e bashkuar, në pritje të një deus ex machina që prania e tij e pamundëson. U premtua ringritje morale përballë korrupsionit të Ramës, por, për të mbetur vetëm te aktet publike, me rikthimin e tij iu bashkua me vota socialistëve për të bërë një kod zgjedhor paçavure që i fali mandate në tavolinë Ramës; bëri me të një amnisti penale ndaj të korruptuarve që cënonte punën e SPAK-ut; u bëri peshqesh shqiptarëve një Avokat Populli të firmosur nga deputetët e tij e të votuar nga Rama, në një shfaqje të neveritshme që i paraqiti para opinionit publik sa të paaftë, aq edhe të implikuar në lojën e pistë të Ramës.
Me sytë e Shpirtit të Krishtlindjes së Kaluar, si te Dickens-i, Berisha nuk po përballet me dështimet e veta, por po riciklon të njëjtin armik të brendshëm për të shmangur përballjen me angazhimet e tij. Duke u përpjekur të rishkruajë historinë dhe të gjejë alibi të tjera, kur në fakt duhet të respektonte angazhimet e veta nën dritën e nenit që shkroi me dorën e tij si garanci e ndryshimit, “nenit Basha”.
Për këtë arsye sulmi ndaj Bashës sot është mekanizëm mbijetese politike, sepse si Foltorja e parë, ashtu edhe e dyta, që po kthehet në farsë, janë ngritur mbi premisa të gënjeshtërta.
Berisha nuk e nisi betejën për të “shpëtuar” PD-në në 2021, por për të mbrojtur veten pas sanksionimit amerikan, që vijon të jetë aty, pavarësisht shumave marramendëse në lobim. Dhe, për të luftuar për mbijetesën e tij personale, ai u tregua i gatshëm ta shqyejë PD-në, duke sulmuar me çdo mjet partinë. Qysh në nisje të saj, ai relativizoi atë që vetë e quante “masakra zgjedhore e 25 prillit 2021”, duke i dhënë alibi Ramës përballë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, kur deklaronte për të armiqësuar demokratët, se zgjedhjet nuk u vodhën nga Rama, por u humbën nga Basha. E ndonëse sot thotë të kundërtën për ato zgjedhje, dëmi që u bë nga retorika dhe aksioni i tij personal është fatal, pasi jo vetëm e legjitimoi Ramën atëbotë, por i dha socialistit mjetet për të penguar Komisionin Hetimor që u ngrit me mbështetje ndërkombëtare mbi kërkesën e PD-së për të zbardhur krimet zgjedhore.
Gjithmonë për interesat e tij, shpiku lloj-lloj akuzash ndaj Bashës vetëm sepse ky e pezulloi nga grupi parlamentar, në mënyrë që Berisha t’i dilte zot premtimit të tij për të mbajtur të ndarë aksionin e PD-së nga ai personal për mbrojtjen nga non grata. I sigurt që do ta fuste PD-në në përçarje dhe në përballje me SHBA-të, Berisha vijoi gjithsesi përplasjen e brendshme, duke e kthyer një parti që u nda me 30 mijë vota nga PS në 2021, në një parti të vogël dhe personale, të lidhur ngushtësisht me mbijetesën e liderit të saj, e cila e sheh me dylbi rezultatin e PD-së nën drejtimin e Bashës në 2021.
Ndaj, kur deklaron sot se “Basha u mor me mua e jo me zgjedhjet”, Berisha jo vetëm nuk thotë të vërtetën, por po përpiqet të mbulojë gjurmët e tij në shkalafitjen që i shkaktoi PD-së, duke e telendisur urbi et orbi me skena që nuk do të shlyhen dot kurrë nga kujtesa e publikut. Të gjitha të shmangshme, nëse ai do të kishte bërë një akt prej lideri në shtatorin e vitit 2021, duke thënë vetëm këto fjalë:
“Unë po respektoj zotimin tim për të mos e vendosur PD-në në një konflikt të hapur me partnerët perëndimorë; do të vazhdoj betejën time për heqjen e sanksioneve në rrugë personale dhe do të jem në mbështetje të demokratëve, ashtu siç ata më kanë mbështetur mua për tre dekada, duke më bërë President dhe Kryeministër.”
E nëse Shpirti i Krishtlindjes, i lindur nga pena e Dickens-it, do të na ndihmonte të shihnim këtë univers paralel, ku Berisha është vetëm i pezulluar nga grupi parlamentar i PD-së, por pjesë e strukturave të saj të larta, jo vetëm që PD nuk do të ishte e përçarë, por do të ishte në pushtet. E lirë të merrej me korrupsionin e Ramës, e lirë të mbante kryeministrin përgjegjës, e lirë të kërkonte mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, e lirë për të fituar përballë një qeverie të diskredituar brenda dhe jashtë vendit.
Por, ndryshe nga personazhi i Dickens-it, që shpëton sepse pranon të ndryshojë, kur sheh zgjedhjet e gabuara dhe egoizmin e frikshëm, në fund thotë: “Kam qenë gabim, duhet të ndryshoj rrugë”, Berisha, përkundrazi, pasi ka parë tashmë “fantazmat” e të shkuarës, humbjet, premtimet e pambajtura, përçarjen, lodhjen e demokratëve, zgjedh të mos ndryshojë asgjë. Vetëm ringjall konfliktin e vjetër me Bashën.
Për demokratët dhe opozitarët që kërkojnë një rrugëdalje, kjo është tragjedia e vërtetë, sepse Foltorja 2.0 sjell vetëm një rrëfim të lodhur hakmarrjeje, ndërkohë që qeveria është zhytur në korrupsionin e saj.
Nëse ka një moral dickensian në këtë histori, ai është lehtësisht i kuptueshëm, Berisha mund të vazhdojë të prodhojë foltore, akuza dhe fantazma të reja, por pa një moment të sinqertë vetëreflektimi, pa një “po, kam gabuar, u bëra pengesa juaj për shkak të egoizmit tim”, kjo opozitë do të mbetet e bllokuar në të shkuarën. Dhe Krishtlindja politike që demokratët presin, nuk vjen kurrë.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
