Ermal Hasimja: Qeverisja e Fatos Nanos ka qenë e korruptuar

3 Nëntor 2025, 23:07 / POLITIKË ALFA PRESS

Ermal Hasimja: Qeverisja e Fatos Nanos ka qenë e korruptuar

Politologu Ermal Hasimja, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, duke folur për një status që bëri pas vdekjes së ish-kryeministrit Fatos Nano që ndërroi jetë të premten e kaluar, u shpreh se u shty për të reaguar, sepse u teprua me lavdërimet për Nanon. Hasimja tha se qeverisja e tij ka qenë e korruptuar dhe standardi i qeverisjes së tij ka qenë shumë i ulët.

“Kur je një person privat është tjetër gjë dhe vlejnë normat tradicionale, por kur je person publik ndryshon puna. Postimin për Nanon e bëra sepse, nëse kjo histori do të kalonte me lavdërimet e zakonshme, mirë, por u teprua. Kur je person publik nuk anashkalohen gjërat. Është një problem që e kemi ne përgjithësisht shqiptarët. I kam thënë këto gjëra kur u propozua për president dhe thashë se nuk mund t’i harrojmë dhe të mos i themi ato që ka patur qeverisja e Nanos. Qeverisja e tij ka qenë e korruptuar. E kanë thënë të gjithë. Unë në status nuk e kam fyer as si person privat se nuk është e drejtë të merresh me jetën private, por standardi i qeverisjes së tij ka qenë shumë i ulët.

Nëse duam të krijojmë standarde dhe modele do të duhet të jemi seriozë te pjesa e vlerësimit të personazheve publike këtu, gjallë ose vdekur. Nuk po merret askush këtu si ka qenë Fatos nano si individ, si ka qenë me familjen, unë kam qenë kundër kësaj gjëje. Çështja është te standardet dhe nëse thua që një qeverisje të korruptuar, ia fsheh të gjitha problemet, ka një problem se pranon atë standard dhe do ta bësh edhe në të ardhmen"- tha Hasimja.

 

 

Po ndodh...

ide