Balliu: Nuk do kenë vrimë ku të fshihen! Kjo protestë shënon fillimin e dështimit të narkoshtetit

22 Dhjetor 2025, 19:28 / POLITIKË ALFA PRESS

Balliu: Nuk do kenë vrimë ku të fshihen! Kjo protestë

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka mbajtur një fjalën e tij gjatë protestës së opozitës, duke e cilësuar atë jo si një tubim të zakonshëm, por si “pikënisjen e një revolte pa kthim” kundër narkoshtetit.

Nga podiumi, Balliu lëshoi një sërë akuzash të rënda ndaj qeverisë, duke u shprehur se pasuria e zyrtarëve të lartë është në kontrast të thellë me gjendjen e qytetarëve. Në fjalën e tij, deputeti denoncoi me emra konkretë zyrtarë të lartë.

Sipas Balliut, ndërsa në spitale mungojnë ilaçet, shërbëtorë të Ramës si Ergys Agasi zotërojnë shishe vere me vlerë 3 milionë euro. Më tej, ai akuzoi ministren Belinda Balluku se zotëron 314 apartamente dhe dy jahte, ndërkohë që të rinjtë shqiptarë largohen nga vendi pasi nuk mund të blejnë një banesë, si pasojë e pastrimit të parave të drogës në sektorin e ndërtimit.

Ai bëri thirrje për luftë të pa kompromis për arrestimin e tyre dhe konfiskimin e të gjitha pasurive. Balliu deklaroi se qeverisja aktuale është një “narkopushtet” dhe se kryeministri Edi Rama është një “trafikant i rëndomtë droge” që ka marrë pushtetin me ndihmën e narkokarteleve dhe blerjes së votave.

Ai shtoi se kjo nuk është më vetëm një akuzë e opozitës, por një fakt i njohur ndërkombëtarisht, i konfirmuar nga shtatë rezoluta ndërkombëtare.

Më tej, deputeti lëshoi një paralajmërim të fortë ndaj grupeve kriminale dhe zyrtarëve të korruptuar, duke premtuar se ata do të përballen me drejtësinë.

Përshëndetje qendrestarë, heronjtë e Shqipërisë, misionarë të luftës kundër narkoshtetit! Të nderuar miq, sot më shumë se kurrë, bandat në pushtet fshihen si struci. Sot më shumë se kurrë, janë në garë, kush t’ja fusë njëri-tjetrit.

Jo për frikën e njërit apo tjetrit, po prej frikës nga ju, se e dinë që ju ka ardhur data. Ju ja kallni datën! Të nderuar miq, të nderuar qendrestarë! 12 vite kemi denoncuar se si një narkopushtet ka vjedhur çdo ditë, ka vjedhur çdo minutë, çdo orë, duke i transformuar shqiptarët në popullin më të varfër të Europës, me pushtetarët më të pasur të botës. Ndërkohë që sot, në Shqipëri, nuk ka ilaçe nëpër spitale, Ergys Agasi ka 3 milionë euro shishe vere.

Ndërkohë që të rinjtë dhe të rejat, largohen se nuk blejnë dot një apartament në Shqipëri, si rrjedhojë e pastrimit të parave të drogës, në ndërtim, Belinda Balluku ka plot 314 apartamente dhe dy jahte dhe këto janë të vetmet që dimë ne. E sa e sa të tjera. Dhe t’imagjinosh që këto janë shërbëtorët e Edi Ramës. Kur këta shërbëtorë kanë këto pasuri, çfarë pasurie ka narkokryeministri Edi Rama? Ku i gjetën paratë? Janë të gjitha para tuaja.

Prandaj duhet të luftojmë që t’i arrestojmë, të shkojnë në burg dhe t'i konfiskohen të gjitha pasuritë që ju kanë vjedhur ju. Të nderuar motra dhe vëllezër, të nderuar demokratë, të nderuar qytetarë, sot mediat e narkopushtetit na tregojnë se këtu janë militantë të partisë. Jo! Këtu nuk janë militantë partie, këtu janë militantët e Shqipërisë, misionarët që kanë vendosur të largojnë narkoshtetin dhe narkokryeministrin Edi Rama.

Deri dje, të nderuar miq, ishte vetëm opozita që fliste për narkoshtetin. Deri dje, ishte vetëm opozita që denonconte. Kurse sot është e gjithë Europa, sot janë shtatë rezoluta ndërkombëtare që faktojnë akuzat tona. Sot është e gjithë bota që fakton se Edi Rama është kryetari i një narkoshteti. Sot të nderuar miq, nuk ka asnjë gjuhë e botës që nuk e di që Edi Rama është një trafikant i rëndomtë droge që ka vjedhur pushtetin me narkokartelet, duke blerë vota, duke bërë presion. Kur një shtet bie pre e bandave, çfarë ndodh?

Ndodh që biznesmenët merren peng. Ndodh që punonjësi i administratës merren peng, për interesat e baxhanakut të kryeministrit. Ndodh që të torturohen nëpër skutat e krimit të Suel Çelës, Tropinjve, Xhabaftëve dhe çdo krimineli tjetër. Dhe sot, nga ky podium, do u themi që njësoj siç kemi bërë me kriminelët kur kemi qenë në pushtet, që i gjetëm në skutat ku ishin fshehur, nga Aldo Bare te kushdo tjetër, të gjitha bandat do kenë të njëjtin fat.

Nuk do kenë vrimë ku të fshihen, do të arrestohen dhe do të shkojnë në burgun ku meritojnë. Ndaj sot, të nderuar miq, më shumë se kurrë është e nevojshme qëndresa. Kjo që nis sot nuk është thjesht një protestë. Kjo që nis sot nuk është një miting. Kjo është pikënisja e një misioni pa kthim. Kjo është pikënisja e një revolte pa kthim. Kjo është pikënisja e fitores së Shqipërisë dhe dështimit të narkoshtetit. Sot më shumë se kurrë, jam krenar që jam një nga ju.

 

Po ndodh...

ide