Shifrat/ Rriten të ardhurat nga kontributet, 158 miliardë lekë në 11 muaj

22 Dhjetor 2025, 21:09 / EKONOMI&SOCIALE ALFA PRESS

Shifrat/ Rriten të ardhurat nga kontributet, 158 miliardë lekë

Të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore kanë vijuar rritjen gjatë vitit 2025, duke forcuar qëndrueshmërinë financiare të skemës dhe garantimin e pensioneve dinjitoze për qytetarët.

Për periudhën 11-mujore të vitit 2025, të ardhurat e mbledhura nga kontributet arritën në rreth 158 miliardë lekë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, janë arkëtuar 15,6 miliardë lekë më shumë, ndërsa realizimi ka tejkaluar planin për këtë periudhë me rreth 500 milionë lekë.

Rritja e të ardhurave është mbështetur kryesisht nga rritja e pagave në administratën publike, e shoqëruar me zgjerimin e fondit të pagave në sektorin privat, si dhe nga masat e ndërmarra në kuadër të Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave dhe Planit të Veprimit për vitin 2025, me fokus përmirësimin e administrimit tatimor.

Sipas listëpagesave të deklaruara në Administratën Tatimore për 9-mujorin e vitit 2025, rezultojnë rreth 751520 tatimpagues në listëpagesë, si dhe 12616 kontribues më shumë, ose 1,7% rritje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ndërkohë, numri i vendeve të punës arriti në rreth 761362, me 12457 vende pune më shumë, ose 1,7% rritje vjetore.

Në vijim, për vitin 2026 parashikohet që të ardhurat nga kontributet shoqërore dhe shëndetësore të arrijnë në rreth 196,9 miliardë lekë. Ky parashikim përfaqëson një rritje prej rreth 20,2 miliardë lekë krahasuar me të ardhurat sipas Aktit Normativ, ose rreth 11,4% më shumë.

Programimi i të ardhurave për vitin 2026 bazohet në parashikimet makroekonomike, si rritja e ekonomisë, si dhe në analizën e faktorëve që ndikojnë në zgjerimin e bazës së kontributeve. 

Po ndodh...

ide