Mirela Karabina: Si protesta po lartëson, vlerat më të mira të shqiptarëve

6 July 2026, 14:08 / POLITIKË NGA MIRELA KARABINA
Mirela Karabina: Si protesta po lartëson, vlerat më të mira

Si protesta po lartëson çdo ditë e më shumë vlerat më të mira të shqiptarëve

Protesta rinore qytetare sot hyn në ditën 37-të të saj. Prej 36 ditësh me radhë, qytetarët kanë dalë në shesh për t'i thënë jo një kaste politike të korruptuar, të konsumuar dhe të shkëputur prej kohësh nga interesat e tyre.Por rëndësia e kësaj proteste nuk matet vetëm me numrin e ditëve. Në këto 36 ditë ka nisur të ndodhë diçka që nuk arriti të ndodhte prej dekadah në tranzicion, sfidimi i hapur i gjithë establishmentit politik.

Qytetarët nuk kanë dalë në rrugë rastësisht. Ata kanë dalë sepse sistemi politik nuk u la më asnjë alternativë. Nga njëra anë qëndron një pushtet arrogant, i zhytur në korrupsion dhe i ekspozuar përmes hetimeve të SPAK-ut. Nga ana tjetër, opozita, me Partinë Demokratike si forca më e madhe opozitare, perceptohet nga shumë qytetarë si pjesë e të njëjtit establishment dhe e të njëjtave lidhje me oligarkinë ekonomiko-politike që ka dominuar vendin në këto vite.

Kur besimi te pushteti dhe opozita shembet njëkohësisht, lind një realitet i ri politik.Dhe ky realitet po ndodh në shesh, në këtë protestë. Qytetarët nuk presin më që ndryshimin ta sjellë as ky leadership i PS-së dhe as ai i PD-së, përkundrazi po kërkojnë largimin e tyre dhe një konfigurim të ri politik.

Pikërisht këtu qëndron risia e kësaj lëvizjeje qytetare.Për herë të parë pas shumë vitesh, protesta nuk është ngritur mbi logjikën e rotacionit politik, por mbi refuzimin e modelit që ka prodhuar klasën politike të këtyre dekadave. Nuk është një përballje mes mazhorancës dhe opozitës, është një përballje mes qytetarëve dhe një sistemi politik të korruptuar.

Kjo protestë rinore qytetare ka rrëzuar një nga mitet më të mëdha të tranzicionit, se shqiptarët nuk dinë të reagojnë. Por qytetarët jo vetëm që po reagojnë, por po dëshmojnë vlera të një shoqërie perëndimore.

Dhe, tipari më mbresëlënës është qëndrueshmëria. Çdo mbrëmje, pavarësisht lodhjes, angazhimeve, motit apo presioneve, qytetarët rikthehen në shesh me të njëjtin vendosmëri. Kjo nuk është më një protestë spontane. Është kthyer në një akt të përditshëm qytetarie, që dëshmon se ndryshimi nuk ndërtohet mbi shpërthime emocionale, por mbi qëndrueshmëri dhe sakrificë.

Solidariteti që ka lindur mes protestuesve është një tjetër vlerë që karakterizon këtë protestë. Për dekada, politika shqiptare ka mbijetuar duke prodhuar ndarje, urrejtje dhe përplasje artificiale mes qytetarëve. Ajo i ka ndarë shqiptarët në "tanët" dhe "të tyre", duke e kthyer politikën në një luftë përkatësish partiake.Ndërsa në shesh po ndodh e kundërta. Njerëzit respektojnë, ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin pa pyetur se për kë ka votur

ky apo ai. Pasi i bashkon një ideal më i madh se çdo parti: rikthimi i dinjitetit të qytetarit dhe çlirimi i shtetit nga një kastë politike që prej vitesh e ka trajtuar pushtetin si pronë private.

Kjo frymë solidare dukshëm paraqitet dhe në marshimet e përnatshme të protestës. Qytetarët që ecin në rrugë dhe familjet që i përshëndesin nga ballkonet, dritaret apo dyert e shtëpive; njerëzit në lokale apo biznese, të cilët ndajnë të njëjtën shpresë. Në ato duartrokitje, në ato përshëndetje dhe në atë solidaritet shfaqet një Shqipëri tjetër: një Shqipëri e qytetarëve, jo e partive; një Shqipëri e besimit, jo e përçarjes.

Në thelb, kjo protestë nuk po sfidon vetëm një qeveri dhe as vetëm një opozitë të konsumuar. Ajo po sfidon modelin politik, kulturën e pandëshkueshmërisë, klientelizmin, cinizmin dhe bindjen se pushteti ndryshon vetëm emrat, por jo mënyrën e qeverisjes.

Çdo ditë që kalon, protesta po rikthen një ide që politika bëri gjithçka për ta tjetërsuar, se sovrani nuk është partia, por qytetari. Ajo që politika e korruptuar ua mohoi shqiptarëve për vite me radhë, qytetarët po e rikthejnë me sjelljen e tyre. 

Reagimi qytetar, qëndrueshmëria, solidariteti, përgjegjësia, dashuria për familjen, njerëzit dhe vendin e tyre janë vlerat që kjo protestë po i lartëson çdo ditë e më shumë.

Dhe ndoshta ky është suksesi i saj më i madh i saj. Përtej çdo kërkese politike, ajo po rikthen besimin se shqiptarët dinë të organizohen, të bashkëpunojnë, të mbrojnë interesin publik dhe të marrin përgjegjësi. Pikërisht këto janë vlerat që trembin më shumë një kastë politike që për dekada ka mbijetuar duke ushqyer apatinë, përçarjen dhe varësinë e qytetarëve nga partitë.

Sepse një shoqëri që beson te vetja është shumë më e vështirë të manipulohet sesa një shoqëri që pret gjithmonë shpëtimin nga politika.

Po ndodh...