Betoni nuk lahet me arkistarë

Një çerek shekulli më parë lyerja e fasadave të pallateve nuk arriti ta kthente Tiranën në një qytet funksional. Njësoj si cerek shekulli më parë, edhe sot, firmat e arkitektëve më të famshëm të botës, që kanë zëvendësuar bojën e dikurshme, nuk kanë arritur ta kthejnë Tiranën, në qytetin e jetueshëm që do të donim të gjithë.
Pyetja që lind natyrshëm është: a po ndryshon vërtet qyteti, apo ka ndryshuar vetëm narrativa me të cilën po na shitet transformimi i tij?
Kryeministri i sotëm njëkohësisht kryetari i dikurshëm i Bashkisë Tiranë, e nisi karrierën politike duke lyer fasadat e Tiranës. Për kohën, ishte një ndërhyrje kozmetike e gjetur, që i dha një qyteti të keqmenaxhuar një imazh krejt tjetër. Pallatet, shpesh me shtesat e tyre të shëmtuara, u shndërruan në kanavaca gjigante, me ngjyra dhe piktura, fotografitë e të cilave, u botuan edhe në revista ndërkombëtare. U krijua përshtypja se Tirana po rilindte. E pranoj, se edhe unë isha mes atyre, që besuan se po shihnim fillimin e një qyteti të ri.
Por, koha tregoi se këto ndërhyrje të gjetura sipërfaqësore, mbetën po aty dhe nuk u shoqëruan me politika të studiuara dhe të mirëmenduara, të nevojshme për një qytet me rritje të shpejtë.
Problemet e një qyteti me infrastrukturë të vjetëruar, erdhen duke u përshkallëzuar. Ujësjellësi, kanalizimet, infrastruktura, transporti publik dhe hapësirat publike nuk u ndryshuan me ritmin e bojatisjes së fasadave. Ato vetëm degraduan, ndërkohë që qyteti dhe qytetarët e tij, po përjetonin fazën e dytë, që askush nuk e imagjinonte se sa larg mund të shkonte “Faza e Betonit”. Kjo Fazë, sot, më shumë se kurrë, është në delir, që në fakt ngjan me një garë egoje se kush ndërton më shumë dhe sa më lart.
Për më shumë se dy dekada Tirana nuk u zhvillua, thjesht u betonizua…u mbush.
U mbush me kulla, me pallate dhe me beton. Çdo parcelë e lirë, pavarësisht formës që mund të kishte, u pa si një mundësi ndërtimi, në të gjithë perimetrin e crregullt të saj. Çdo metër katror ndërtim u pa thjesht si një produkt për shitje. Qyteti u rrit në lartësi, por jo në kapacitet apo cilësi. U shtuan ndërtesat, por jo infrastruktura. U shtuan banorët, por jo rrugët. U shtua konsumi i ujit, por jo kapaciteti i rrjetit. U shtua dendësia, por jo hapësira publike. Sot, jetojmë në kaos pasojat e këtij modeli.
Pikërisht në këtë moment nis faza e tretë, që përfaqësohet me “Archistarët”.
Filluan “Konkurse” ndërkombëtare hipokrite. Stefano Boeri Architetti, Marco Casamonti, MVRDV, OMA, BIG, UNStudio, Oppenheim Architecture, Mario Cucinella, Andrea Caputo etj. Lista vazhdon dhe bashkë me të edhe renderat shumëngjyrësh me gjelbërim masiv.
Paralelisht filloi organizimi i Festivaleve Ndërkombëtar për arkitekturën, ekspozita, konferenca, dhe sigurisht në fund s’kishte si të mungonte edhe një “kartvizitë” për këdo që do të hedhë beton, Libri “The Albanian Files”. Mesazhi është i qartë: Shqipëria qenka kthyer në laboratorin e arkitekturës botërore ku cdo arkistar mund të shfryjë fantazitë e tij të reflektuara në fasadat e objekteve shumëkatëshe.
Si arkitekte, kjo duhet të ishte arsye për entuziazëm, dhe në një farë mënyre është.
Kam studiuar me pasion projektet e tyre dhe i kam patur dhe profesor. Shumë prej tyre kanë qenë idhujt e mi që studente dhe vazhdojnë të jenë ndër figurat më të rëndësishme të arkitekturës bashkëkohore.
Por pikërisht, sepse i respektoj, nuk mund të mos pyes: pse arkitektët që projektojnë muze, aeroporte, universitete dhe masterplane për qytetet më të rëndësishme të botës, në Shqipëri projektojnë kryesisht kulla banimi? Përse nuk po importojmë në Shqipëri edhe vizionin e tyre urban?
Fakt është në Shqipëri po importojmë thjeshtë firmën e tyre. Pikërisht nënshkrimi i tyre po përdoret për të bërë atë që dikur bënte boja mbi fasada: të krijojë përshtypjen e ndryshimit.
Vetëm se kësaj radhe boja është zëvendësuar me beton te certifikuar nga emra të mëdhenj.
Problematika qëndron në faktin se as Boeri, as Casamonti, as OMA nuk mund të zgjidhin atë që NUK u është kërkuar të zgjidhin nga autoritetet rregullatore.
Mund të kesh arkitektët më të mirë në botë, por nëse prioritet mbetet ndërtimi dhe betonizimi dhe jo, zbatimi i vizionit urban, rezultati nuk ndryshon. Pikërisht këtu, qëndron paradoksi më i madh.
Ironia është se edhe vetë Stefano Boeri, emri që sot përdoret për të legjitimuar valën e re të kullave në Tiranë, është autori i Planit të Përgjithshëm Vendor të qytetit Tiranë. Një plan që parashikonte një zhvillim policentrik, me krijimin e poleve të reja urbane dhe shpërndarjen e zhvillimit përtej qendrës, pikërisht për të ulur presionin mbi të si dhe rriten e sipërfaqeve të gjelbra.
Por në praktikë në këtë qytet ndodhi plotësisht e kundërta. Në vend që qyteti të zhvillohej në mënyrë policentrike, pothuajse çdo projekt i madh vazhdoi të përqendrohej në zemër të Tiranës. Qendra vazhdon të mbajë barrën e zhvillimit, sikur objektivi të jetë t'i shtrydhet edhe metri i fundit i hapsirës publike.
Paralelisht, në kuadër të oreksit, për të ndërtuar sa më shumë dhe kudo, u shpik dhe po promovohet, edhe një model i ri zhvillimi, për pronat publike nëpërmjet Korporatës Shqiptare të Investimeve. Skema është e thjeshtë: shteti i vendos në dispozicion tokën publike, privati financon rikualifikimin e objektit dhe në këmbim, fiton të drejtën të ndërtojë sipërfaqe të reja në pronësi private, sigurisht në formën e preferuar të ndërtimit “me kulla”. Për ta prezantuar, këtë plan “Zhvillimi” nuk mjaftojnë vetëm renderat, por sigurisht krijohet edhe skenografia e duhur me arkitektë, ambasada dhe institucione ndërkombëtare, prania e të cilëve krijon përshtypjen se modeli nuk prezantohet thjesht për diskutim, ka marrë edhe një “vule ndërkombëtare” megjithëse të pa vetëdijshme nga këto të fundit.
Stadiumi Dinamo është ndoshta shembulli më domethënës i këtij teatri të madh. Për herë të parë pas shumë dekadash, Tirana kishte mundësinë t'i kthente qytetarëve diçka nga ajo që u është marrë vazhdimisht: një hapësirë të madhe publike dhe të gjelbër në zemër të qytetit. Në fakt, një park do të ishte ndoshta projekti më modern që mund t'i dhurohej sot Tiranës. Por edhe kjo hapësirë u pa si potencial ndërtimi. Dhe pikërisht këtu qëndron absurdi. Tirana është ndoshta i vetmi qytet ku një park shihet si problem, sepse zë vendin ku mund të ishte një kullë. A thua se moderniteti matet me metra katrorë të ndërtuar dhe jo me cilësinë e jetës që u ofron qytetarëve!!!
Një qytet nuk ndryshon vetëm sepse një kullë mban firmën e Boerit apo të Casamontit. Një qytet ndryshon kur ndërton infrastrukturën publike që e mban në këmbë dhe i jep jetë: kur zgjidhen problemet e ujit, kur modernizohen kanalizimet, kur ndërtohen parqe, kur krijohen hapësira për qytetarët dhe kur planifikimi vjen përpara dëshirës për të hedhur beton. Asnjë nga këto utilitete nuk zgjidhet me një render të bukur.
Përkundrazi, autoritetet rregullatore sot, sa më shumë flasim për arkitektët, aq më pak flasin për qytetin, sa më shumë flasin për kullat, aq më pak flasin për infrastrukturën, sa më shumë flasin për arkitekturën, aq më pak flasin për urbanistikën. Dhe ky është, paradoksi më i madh.
Arkitektët më të mirë në botë nuk po përdoren për të korrigjuar gabimet e modelit urban të dështuar të Tiranës. Ata po përdoren për t'i mbuluar ato.
Njëzet e pesë vjet më parë u lyen fasadat. Sot po lustrohet katastrofa urbane me emrat më të mëdhenj të arkitekturës botërore. Por as atëherë dhe as sot nuk trajtohet problemi i vërtetë.
Fasadat e djeshme nuk e ndryshuan Tiranën. Nuk do ta ndryshojnë as arkistarët e sotëm firma e të cilëve nuk e lan dot betonin. Sepse një qytet nuk bëhet modern kur ndryshon pamja. Bëhet modern kur zgjidh problemet që nuk duken.
Tirana nuk ka nevojë për një tjetër fasadë. Ka nevojë për themele./ A.A. për Alfapress.al
Po ndodh...
Vulën që Edi Rama ia dha Sali Berishës, ia mori populli
ide
Promemorje Psiko-politike në kohë proteste!
36 ditë protestë kundër politikës, Ditmir Bushati: E ardhmja është këtu
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128