DW: Thellohen përplasjet për zgjedhjen e Presidentit në Kosovë
Propozimi i Vetëvendosjes që Glauk Konjufca të jetë kandidat për president ka nxitur reagimin e partive opozitare dhe të vetë presidentes Vjosa Osmani, e cila priste mbështetje nga Vetëvendosja.
Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që Glauk Konjufca të jetë kandidat për President ka thelluar përplasjet ndërmjet partisë në pushtet, partive opozitare që kërkonin konsensus dhe presidentes Vjosa Osmani. Me sa duket Osmani ka pritur që kryeministri Albin Kurti, që udhëheq me Vetëvendosjen dhe që ka 57 deputetë, ta mbështesë edhe për një mandat të dytë pesëvjeçar në krye të shtetit, por kjo nuk ndodhi. Para pesë vitesh me mbështetjen e Vetëvendosjes, Vjosa Osmani u zgjodh presidente e Kosovës.
Vetëvendosja bën thirrje për garë në Kuvend
Me kandidimin zyrtar për President të Kosovës të Glauk Konjufcës, i cili javë më parë u emërua ministër i Jashtëm i qeverisë, Lëvizja Vetëvendosje u bëri thirrje partive të tjera opozitare që të propozojnë kandidatin e tyre dhe të zhvillohet garë në parlament për postin e Presidentit. “Subjekti ynë politik është i bindur se në vendin tonë ka shumë emra të denjë për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore, rreth të cilëve do të mund të ndërtohej një pajtueshmëri për të ecur përpara. Në këtë fazë, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme”, thuhet në njoftimin zyrtar të Vetëvendosjes.
Dy partitë e tjera opozitare, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë propozuar akoma ndonjë kandidat të tyre, ndonëse ka akoma disa orë kohë deri në mbajtjen e seancës parlamentare për zgjedhjen e Presidentit. Kjo seancë megjithatë nuk mund të nisë pa u propozuar edhe një kandidat për President, thotë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu. “Seancë për zgjedhje të presidentit s’mund të ketë pa i pasur së paku dy kandidatë. Zgjedhja e presidentit duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual. Afati kushtetues është 5 marsi i vitit 2026”.
Reagime nga zyra e presidentes
Propozimi i njëanshëm i Vetëvendosjes me kandidatin e saj për President, Glauk Konjufca, nxiti reagimin e Presidentes Vjosa Osmani, e cila nuk e mori mbështetjen e partisë në pushtet Vetëvendosjes, ndonëse Vetëvendosja u shpreh e gatshme t’ia sigurojë 30 nënshkrime Osmanit që të hyjë në garë me Konjufcën. Shefja e stafit të Presidentes, Learta Hollaj, në emër të Presidentes, tha se, “qasja duhet të reflektojë maturi politike dhe ndjeshmëri ndaj interesit publik, përtej kalkulimeve të ulëta”.
“Nëse dikujt i thoni eja veç sa për formalitet bëhu kundërkandidate e z. Glauk Konjufca, pra veç sa për numër, në mënyrë që pastaj të mund ta fajësojmë së bashku opozitën për shkuarje në zgjedhje, a ka më turp? Pra, Presidentes nuk i keni ofruar asnjë votë për t’u rizgjedhur, por i keni kërkuar që të bëhet formalitet e numër në mënyrë që sot të dilni me manipulime të tilla. Ne nuk i trajtojmë institucionet e shtetit ashtu”, shkroi Learta Hollaj, duke i reaguar Vetëvendosjes.
Akuza nga partitë opozitare
Edhe dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), reaguan ashpër duke e cilësuar kandidimin e Konjufcës nga Vetëvendosja për President si papërgjegjshmëri të shumicës parlamentare. “Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhjen e saj që për shkak të papërgjegjshmërisë së shumicës parlamentare dhe mosgatishmërisë së z. Kurti për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse apo ndërpartiake, vendi po përballet me rrezikun e moszgjedhjes së Presidentit të ri dhe po shkon drejt një krize të panevojshme institucionale”, thuhet në reagimin e PDK-së. Më tej thuhet se ” përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që kanë mandatin për ta qeverisur vendin”.
Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, në reagimin e saj, thotë se “procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.
“Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar”, thuhet në reagimin e LDK-së. Më tej thuhet se “LDK shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë”.
5 marsi afati i fundit për zgjedhjen e presidentes/it
Afati për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës përfundon me datë 05.03 deri në mesnatë. Një kandidat që të zgjidhet president duhet t’i sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit nga 120 sosh. Sipas rregullores së Kuvendit, kuorumi në sallë arrihet me të paktën 80 deputetë. Nëse në dy rundet e para një kandidat nuk i siguron 80 vota, atëherë në raundin e tretë mjafton t’i ketë 61 vota për t’u zgjedhur. Sipas njohësve të Kushtetutës së Kosovës, nëse deri më 05.03 deputetët e Kuvendit në tre raunde nuk arrijnë ta zgjedhin presidentin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të dytat me radhë vetëm brenda disa muajsh/ DW
Po ndodh...
Gjermania, “mallkimi” i Ramës dhe Berishës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128