Kishin kultivuar bimë kanabisi, arrestohen dy autorët në Kurbin

25 June 2026, 12:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Dy persona janë arrestuar në flagrancë në fshatin Skuraj të Kurbinit, ku sipas policisë ishin kultivuar bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa.

Të arrestuarit janë shtetasit A. H., 25 vjeç dhe S. T., 19 vjeç, banues në Fushë Milot, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Në kuadër të kontrolleve intensive që po zhvillohen në të gjithë territorin e qarkut Lezhë, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, bazuar edhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, finalizuan operacionin e koduar “Vigjilenca 3”.

Gjatë operacionit, në territorin e fshatit Skuraj, u konstatuan bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.

Shërbimet e Policisë kapën në flagrancë, në vendin ku ishin kultivuar këto bimë, dhe arrestuan shtetasit A. H., 25 vjeç, dhe S. T., 19 vjeç, banues në Fushë Milot, Kurbin, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 automjet dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Kontrollet antikanabis vijojnë në të gjithë territorin e qarkut Lezhë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme“, thuhet në njoftimin e policisë.

Po ndodh...

ide