“Kemi thyer algoritmin e kryeministrit!” / Mesazhi i fortë i protestueses nga sheshi: Ta bojkotojmë Edi Ramën! Jemi më shumë se ai!

25 June 2026, 21:20 / POLITIKË ALFA PRESS
“Kemi thyer algoritmin e kryeministrit!” / Mesazhi i fortë i

Sheshi përpara godinës së Kryeministrisë është mbushur sërish sot nga një pjesëmarrje masive e qytetarëve, në atë që shënon ditën e 26-të radhazi të protestës popullore kundër kryeministrit Edi Rama dhe kabinetit të tij qeveritar.

Përgjatë tubimit, një fjalim me mesazhe të prera i drejtuar veçanërisht rinisë, ka sjellë duartrokitje të shumta në radhët e protestuesve.

Nga foltorja e ngritur në shesh, protestuesja vuri në dukje se qëndresa e të rinjve ka goditur pikën më të fortë të propagandës së shefit të qeverisë, duke thyer mitin e tij 13-vjeçar të kontrollit të rrjeteve sociale.

 

Në fjalën e saj, ajo u bëri thirrje të rinjve që të mos ndalen, por ta përdorin teknologjinë dhe zërin e tyre për të demaskuar sistemin.

 

“Unë kam vetëm një thirrje për të gjithë të rinjtë që i janë bashkuar protestës dhe që i kanë dhënë jetë kësaj proteste. Ju keni thyer algoritmin e kryeministrit, për të cilin ishte mbret prej 13 vitesh! Por, puna jonë dhe e juaja nuk ka mbaruar. Ne duhet të vazhdojmë të thyejmë algoritmin edhe më shumë, ta çojmë algoritmin tek e drejta jonë. Që ne të bojkotojmë kryeministrin që na ka bojkotuar për 13 vite, të futemi të gjithë live, të ndajmë pankartat e mrekullueshme që janë në shesh dhe t’i tregojmë se jemi më shumë se ai, më artistë se ai, më kreativë se ai!” u shpreh ajo.

Më tej, protestuesja bëri një paralizëm mes përpjekjeve të paguara të qeverisë për imazh jashtë vendit dhe vëmendjes organike që ka marrë revolta e qytetarëve në arenën ndërkombëtare.

“Me këtë protestë madhështore keni arritur të jeni në të gjitha mediat ndërkombëtare me kreativitetin tuaj, ndërsa ata në pushtet paguajnë miliona që të marrin disa minuta në mediat ndërkombëtare, ndërsa ju e keni bërë me kreativitetin dhe energjinë tuaj. Do vijojmë çdo ditë e më shumë të jemi më kreativë që të tregojmë të vërtetën e Shqipërisë.”

Në mbyllje të fjalës së saj, ajo la një porosi të qartë dhe të prerë për të gjithë ata që tentojnë të marrin meritat apo të negociojnë në emër të qytetarëve që kanë mbushur rrugët prej gati një muaji.

“Një thirrje kam edhe për ata që mendojnë se mund të përfaqësojnë protestën: askush nuk ka të drejtë të flasë në emrin tuaj, apo të bëjë grupime dhe mbledhje në emrin tuaj dhe të nxjerrë përfaqësues. Përfaqësuesit do i nxirrni ju nga sheshi dhe zëri juaj do jehojë lart e më lart!” përfundoi ajo nën brohoritjet e turmës.

 
 
 
 

Po ndodh...

ide