Dy orë seancë për të vulosur fatin e Nikolla Agollit, Gjykata e Korçës merr vendimin për 24-vjeçarin që tentoi t’i merrte jetën Brian Syzos

2 July 2026, 13:32 / AKTUALITET ALFA PRESS

Gjykata e Korçës mësohet se ka lënë para hekurave autorin e atentatit ndaj Brian Syzos, ngjarje e ndodhur mesditën e së hënës, më 29 qershor, në qytetin e Pogradecit.

Burimet për mediat bëjnë me dije se pas një seance gjyqësore e cila zgjati për rreth dy orë, togat e zeza kanë caktuar masën e sigurisë ”arrest me burg” për autorin e plagosjes, Nikolla Agollin.

E njëjta masë sigurie mësohet se u caktua dhe për bashkëpunëtorin e Agollit, David Priftin.

Nikolla Agolli akuzohet për veprat penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Ndërsa bëhet me dije se janë shpallur në kërkim dhe dy shtetas të tjerë. Konkretisht bëhet fjlaë për shtetasit M. B., 40 vjeç, banues në lagjen nr. 2 të Pogradecit, dhe E. A., 22 vjeç, banues në Buçimas.

Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se atentati dyshohet të jetë vazhdim i një konflikti të hershëm mes familjeve Agolli dhe Syzo. Hetimet kanë nxjerrë në pah se ngjarja lidhet me plagosjen e ndodhur rreth një vit e gjysmë më parë, kur Sindi Syzo, vëllai i Brian Syzos, dyshohet se plagosi me thikë Nikolas Agollin brenda një berberhaneje në Pogradec. Agolli mori disa plagë në trup dhe që prej asaj kohe konflikti mes palëve nuk ishte shuar, raporton newsbomb.al. 

Sipas burimeve, dyshohet se plagosja e Brian Syzos ishte një akt hakmarrjeje për atë ngjarje. Ditën e atentatit, Nikolas Agolli ka qëlluar me armë zjarri nga një automjet në lëvizje në drejtim të fuoristradës me të cilën po udhëtonte Brian Syzo. Për shkak të lartësisë së mjetit, plumbat kanë depërtuar në derën e automjetit dhe e kanë goditur 35-vjeçarin në gjymtyrët e poshtme.

Pas të shtënave, shërbimet e Policisë reaguan menjëherë, duke bërë të mundur lokalizimin dhe arrestimin e Nikolas Agollit vetëm pak minuta pas ngjarjes. Më pas, gjatë vijimit të hetimeve, u dokumentua përfshirja edhe e tre personave të tjerë në organizimin dhe realizimin e atentatit.

Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar tre automjete që dyshohet se janë përdorur nga autorët, si dhe gjashtë aparate celularë, të cilët do t'i nënshtrohen ekspertizave për të zbardhur komunikimet dhe rolin e secilit prej të përfshirëve.

Brian Syzo vijon të marrë trajtim mjekësor dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, ndërsa fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Nikolla Agolli akuzohet për kryerjen e veprës penale "Vrasja me paramendim", kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, si dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit".

Sakaq bëhet me dije se hetimet vijojnë për kapjen e dy personave të shpallur në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të rolit të secilit në atentat.

Po ndodh...

ide