Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD

17 Dhjetor 2025, 16:19 / IDE BESMIR SEMANAJ

Vija e kuqe e Berishës dhe vija e zezë e demokracisë në PD

Sali Berisha doli sërish si gjykatësi suprem i Partisë Demokratike, duke shpallur “vija të kuqe”, duke ndarë fajtorë e të pafajshëm, duke përjashtuar dhe dënuar politikisht këdo që nuk i bindet autoritetit të tij absolut. Është një rol që e ka luajtur pa ndërprerje për 35 vjet, pa reflektim dhe pa asnjë ndjesë ndaj demokratëve që kanë paguar koston e këtij drejtimi.

Në Partinë Demokratike, për fat të keq, vija nuk është as statutore, as morale, as institucionale. Vija është personale. Është ajo që vendos Berisha dhe vetëm Berisha. Sot e kalon Salianji. Nesër kushdo tjetër që guxon të ketë mendim të pavarur, mbështetje reale në bazë apo guxim për të mos u nënshtruar.

Berisha flet për krimin, por harron se krimi më i madh politik është shkatërrimi sistematik i demokracisë së brendshme të një partie. Përjashtimet, linçimi publik i demokratëve, delegjitimimi i strukturave që nuk i binden dhe përdorimi i frikës si mjet kontrolli janë shenja klasike të një diktature partiake, jo të një force demokratike.

Fakti që struktura të tëra bojkotuan takimin e Berishës në Elbasan nuk është shenjë “neverie morale”, siç përpiqet ta paraqesë ai, por shenjë lodhjeje. Lodhjeje nga një drejtim i imponuar, nga një parti që nuk pyet më anëtarët, por u flet me ultimatume.

Asnjë parti europiane nuk mbahet peng nga i njëjti njeri për 35 vjet. Vetëm në PD kjo quhet “normalitet”. Vetëm në PD rotacioni shihet si tradhti, mendimi ndryshe si armiqësi dhe kritika si bashkëpunim me krimin.

Ironia më e madhe është se, ndërsa Berisha akuzon të tjerët për bashkëpunime të errëta, rezultati politik i drejtimit të tij është një PD e dobët, e përçarë dhe e paaftë për të rrëzuar Edi Ramën.

Dhe këtu lind pyetja që shumë demokratë e bëjnë në heshtje, por nuk guxojnë ta thonë me zë të lartë:
A i shërben realisht Berisha largimit të Ramës, apo mbijetesës së tij politike?

Sali Berisha mund të mos dalë kurrë në një konferencë shtypi për të thënë se bashkëpunon me Edi Ramën. Por veprimet e tij politike e bëjnë këtë bashkëpunim real dhe të prekshëm:

1. Përçarja e opozitës

2. Largimi i figurave elektoralisht të forta

3. Djegia e çdo alternative të re brenda PD

4. Mbajtja e partisë peng për interesa personale

Këto janë dhurata direkte për Edi Ramën, të cilat asnjë propagandë nuk i mbulon dot.

Në fund të ditës, Rama nuk ka nevojë ta mundë Partinë Demokratike. Mjafton që Berisha ta drejtojë atë.

Partia Demokratike nuk është pronë personale, as e Sali Berishës dhe as e askujt tjetër. Ajo është ndërtuar nga mijëra demokratë që sot po përjashtohen, po poshtërohen dhe po etiketohen si “vijë e kuqe” vetëm sepse kërkojnë demokraci reale brenda partisë së tyre.

Nëse Berisha vërtet beson te “vija e kuqe”, le ta fillojë nga vetja:

Nga dorëheqja morale

Nga hapja reale e partisë

Nga kthimi i vendimmarrjes te anëtarësia

Vija e kuqe e vërtetë nuk është një takim në Elbasan dhe as emri i Z. Salianji.
Vija e kuqe është momenti kur një lider kthehet në pengesë për demokracinë, për opozitën dhe për shpresën e ndryshimit.

Dhe atë vijë, Sali Berisha e ka kaluar prej kohësh.

Po ndodh...