Prindër, mos i turpëroni fëmijët me frikën tuaj!

Shumë të rinj e të reja, njerëz që ndoshta deri dje i kemi parë me syrin e fortë të mosbesimit, prej 12 ditësh janë në shesh duke na dhënë një leksion të fortë- JO jetës përmes servilizmit! JO jetës përmes nënshtrimit! JO përkuljes përballë arrogancës së kujtdo!
Kanë ditë që e japin këtë leksion pa bujë. Madje, kanë zgjedhur ta bëjnë përmes një marshimi gati-gati si festë. Se, në fakt, dëshira për ta ruajtur këtë vend, dëshira për ta përmirësuar këtë vend, dëshira për të këmbëngulur të qëndrosh këtu përpara se t’i kthesh krahët vendlindjes, është dhe duhet të jetë gjithmonë festë.
Ata i rezistuan etiketimeve me konspiracione e fyerje nga kryeministri Rama. Ata i rezistuan provokimeve për t’i dhënë një ngjyrë dhune, apo për t’i zvogëluar. Ata i qëndruan provokimeve të mbështetësve të Berishës për ta përkufizuar njëanshëm zhgënjimin me politikën që i ka nëpërkëmbur në vite. Dhe në gati dy javë ata i kanë treguar shoqërisë se asgjë nuk është dhe nuk mund të jetë më e fortë se sa dashuria për ta mbrojtur këtë vend nga ata që e shohin si pronë privatë, nga ata që e konsiderojnë veten pronarë të 800 apo 500 mijë të atyre që i kanë votuar.
Në këtë manifestim të forcës për t’ia dalë mbanë për të mbrojtur këtë vend, sfida tashmë u ka kaluar prindërve të atyre të rinjve, të cilët duhet të gjejnë kurajën e t’i përkrahin, t’u dalin në mbështetje dhe të jenë aty krah tyre. Përndryshe, të gjithë ata që në emër të mbijetesës ulën kokën këto vite përballë arrogancës, të gjithë ata që në këto vite treguan pafuqinë e tyre përballë të fortëve, përballë atyre që i kërcënuan me vendin e punës nëse nuk votojnë e mendojnë si ata, duke mos mbështetur këta të rinj, do humbin shansin që në jetën e tyre të tregojnë se u ka mbetur ndopak respekt për veten.
Ata të rinj në protestë janë shenja se ky popull nuk është ai popull pa zemër, siç janë munduar ta etiketojnë Rama apo Berisha. Ata të rinj tregojnë se revolta është shumë më e dobishme se sa bindja e verbër që i ka kthyer Ramën e Berishën në padronë të pashpirt të dinjitetit të votuesve të tyre, duke i marrë si të mirëqenë si shërbëtorë të kauzave të tyre.
Ashtu plot ngjyra mendimesh e qëndrimesh, të rinjtë në protestë tregojnë se ajo që i bashkon është dëshira për ta parë këtë vend me një politikë që jep llogari për atë që bën, me qeveritarë e opozitarë që janë aty jo për të menduar veten padronë, por si njerëz që dëshirojnë të përmirësojnë jetën në këtë vend.
Dhe, së fundmi, të gjithë ata që kishin humbur shpresën duke thënë se “ky vend nuk bëhet”, se “këtu nuk jetohet”, kanë shansin të mbështesin këta të rinj të cilët prej gati dy javësh e kanë zbukuruar Tiranën me kulturën e tyre duke treguar se ne mundemi, se ne si popull i kemi të gjitha fuqitë ta rindërtojmë atë që është prishur përmes trajtimit të shqiptarëve nga Rama-Berisha si patronazhistë, si krahinistë apo si njerëz “dele”.
Shumë prindër sot mund të gjenden në një pozitë të vështirë përballë shefave të tyre që kërkojnë mospjesëmarrje në protestë. Shumë të tjerë mund të gjenden keq për faktin se shqiptarët kanë shpallur “non grata” edhe kreun e PD-së, Sali Berishën, duke e vënë në të njëjtën poster refuzimi me Ramën. Por, asgjë nuk ka dhe nuk duhet t’i ndalë prindërit e atyre të rinjve dhe shumë të tjerëve që po i mbështesin nga larg, që të gjënë rrugët për të ruajtur dinjitetin përballë kurajës që këta të rinj po na rrëfejnë rrugëve të Tiranës me guximin për të na thënë- Jeto pa servilizëm, jeto me dinjitet, jeto pa frikë!
Protesta mund të mos arrijë shumë gjëra. Protesta mund të ndalet nesër apo pasnesër, e sërish do mbetet një lëvizje që shkundi shqiptarët nga gjumi përballë arrogancës politike, përballë sjelljes së politikanëve si pronarë të votuesve të tyre. Por, ama, moskuptimi i sotëm nga prindërit i kurajës së këtyre të rinjve do mbetet aty, si një humnerë e pakapërcyeshme e mungesës së dinjitetit nga ata që janë ankuar shumë, por kanë provuar pak ose aspak që të jetojnë me dinjitet apo të mbështesin jetën përmes dinjitetit!
Për të shmangur këtë moskuptim, prindërit janë ende në kohë të mbështesin këtë kurajë e mos të turpërohen përballë fëmijëve të tyre që duan një jetë me dinjitet!
Po ndodh...
Mikrofoni i protestës
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128