Një ftesë për bashkim me dhunë ndaj Lapajt

Duke qenë se Qori dhe Shehaj e kanë refuzuar ftesën e Berishës për bashkim, bateritë e tij tashmë janë përqendruar për të futur në thes Lapajn. Shumë njerëz prej kampit të foltores flasin për një bashkim midis dy protestave. E teksa vazhdon të thellojë përçarjen e brendshme duke “vetëpërjashtuar” salianjët që kërkojnë ndryshim si dhe duke kërcënuar ata që anojnë drejt tyre, Berisha shfaqet si faktor përbashkues duke shtrirë dorën për një aleancë të gjerë kundër Ramës.
Paradoksi është se pikërisht ai grupim politik që jeton përmes konfliktit dhe gjuhës së dhunës e shantazhit, i cili prej 35 vitesh bën politikë vetëm nëpërmjet akuzave, linçimeve, shpifjejve dhe sulmeve ad hominem, duke gjetur armiq e tradhëtarë tek kushdo që nuk është në anën e tyre, shfaqet tashmë si tolerat dhe përbashkues, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit ndaj gjithkujt. Por interesante është se edhe këtu ftesa shoqërohet me kërcënim. Ai që nuk e pranon bashkimin konsiderohet automatikisht agjent i Ramës për të penguar opozitën në rrëzimin e tij. Pra nuk ka rrugë të mesme: o me ne o me armikun!
Një masë e madhe militantësh berishistë kanë sulmuar këto ditë Lapajn, për shkak se ai vuri disa kushte për bashkimin me PD-në. Ata shfrynin tërë indinjatën e tyre duke ironizuar që një sorosian i shitur dhe shërbyes i Edi Ramës si Lapaj, ka kurajë ti vendosë kushte liderit të opozitës. Sipas tyre kushtet i vendos vetëm doktori dhe Lapaj vetëm duhet të falenderoj qe, me gjithë "tradhëtitë" e tij, po i bëhet një nder kaq i madh sa të pranohet në aleancë prej tij. Ftesa e tyre bëhet nën kërcënim, duke vendosur koburen mbi tavolinën ku të ftojnë për bisedime: Zgjidh!
Në fakt, ky bashkim është pa pikë vlere. Rama nuk rrëzohet duke bërë bashkë rraqet e vjetra me rraqe të reja që heqin dorë nga parimet e tyre për kompromise pa vlerë. Rama mundet me një politikë të re, serioze, të pakompromentuar me llucën e këtyre 35 viteve, me ide, vision, aftësi dhe vendosmëri. Bashkimi i të thatit me të njomin i shërben vetëm të thatit dhe sjell veç shkrumbimin e truallin opozitar. Ky lloj bashkimi nuk dëmton aspak Ramën, por vetëm çimenton pozicionin e Berishës në krye të opozitës, çfarë në përfundim vetëm i zgjat jetën Ramës.
Ky lloj bashkimi i jep në tavë Berishës ekskluzivitetin e opozitës, i vetmi objektiv që ai ka prej 5 vitesh. Duke qenë se ai e di që nuk vjen dot në pushtet, lufta e tij bëhet vetëm për të ruajtur ekskluzivitetin mbi opozitën në mënyrë që ai të mund vazhdojë të jetë faktor kushtëzues për çdo zgjidhje politike apo pazar politik dhe jo vetëm.
Nga ana tjetër, bashkimi i opozitës nuk mund të jetë thjesht një shumatore nurmash që i shkojnë pas njërit apo tjetrit. Politika nuk është matematikë dhe njerëzit nuk janë bagëti që mund ti marrësh prej një tufe e ti çosh në një tufë tjetër. Mbështetësit e partive të reja shkojnë pas Shehajt apo Lapajt pikërisht sepse nuk duan më PD-në e Berishës. Nëse Shehaj apo Lapaj i ftojnë ata të rikthehen tek ai prej të cilit ikën, duke negociuar një aneks në karakatinën e tij, për çfarë dreqin do të duhej më Shehaj dhe Lapaj?
Një bashkim i tillë nuk ka as vlerë pragmatike. Njerëzit grupohen tek partitë e reja kryesisht për shkak të zhgënjimit prej dy partive të mëdha. Në zgjedhjet e fundit, PD-së i munguan rreth 250 mijë vota, gjysma e të cilave u shpërnda në partitë e reja, ndërsa gjysma tjetër nuk doli fare të votojë. Misioni i partive të reja është që të kapitalizojnë këto vota dhe, mundësisht ti marrin Berishës atë pjesë të 500 mijë votuesve që e votuan nga halli për shkak se nuk duan Ramën. Vetëm kështu, duke u shndërruar në një pol të tretë, ata do të mund të shtyjnë përpara zhvillime thelbësore që do bënin të mundur ndryshimin e realitetit politik në vend. Nëse ata bashkohen me Berishën, thjesht do të humbasin misionin e tyre dhe do të defaktorizohen plotësisht.
Berisha sot është më i dobët se kurrë. Sheshet e tij janë të zbrazët dhe ai mezi arrin të mbledhë disa mijëra militantë një herë në muaj, duke u strapacuar nëpër degë për t’iu mbushur mendjen të vijnë me gënjeshtrën se kjo është finalja. Nëse bashkojmë dy protestat, edhe berishistët do të zhgënjehen që doktori po flirton me “sorosistët” dhe “shërbëtorët e Ramës”, edhe protestuesit e Lapajt do të zhgënjeheshin që kauza e tyre degjeneroi në një instrument të foltores për të mbajtur në këmbë një pjesë të sistemit kundër të cilit u ngritëm.
Berisha është i gatshëm ta paguajë këtë kosto, vetëm e vetëm që të vrasë kauzat e partive të reja. Kjo është e vetmja rrugë që ai të mbajë ekskluzivitetin mbi opozitën. Ai e tregoi qartësisht këtë synim me kodin elektoral që zgjodhi bashkë me Ramën në zgjedhjet e fundit. Ai e zgjodhi këtë kod që i dha Ramës qyl disa mandate (në prag të një shumice të cilësuar), vetëm e vetëm për të moslejuar faktorizimin e partive të reja, të cilat morën më pak mandate se ç’kishin vota. Por Lapaj nuk ka asnjë arsye për ta bërë këtë. Rruga e tij e vetme është ajo kundër sistemit dhe nuk ka përse të hyjë në sistem për tu kthyer në një ingranazh të tij, në spektaklin e betejës false midis Ramës dhe Berishës.
Po ndodh...
ide
Një ftesë për bashkim me dhunë ndaj Lapajt
Vetmia e madhe e Perëndimit dhe demokracisë liberale
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
