Ambasadorë të atrofizuar

26 Shtator 2022, 12:54 / IDE NGA SHABAN MURATI

Ambasadorë të atrofizuar

Një ambasador amerikan në Stokholm, duke më shpjeguar përse ShBA ka përcaktuar me ligj mandatin e ambasadorëve amerikan në vendet e tjera vetëm tre vjet, më tha arsyen: “Pas tre vitesh shërbim ambasadori bie në dashuri me vendin, ku është akredituar, dhe harron vendin e vet”.

Çfarë mund të themi për ambasadorët e tanishëm të Shqipërisë, shumica e të cilëve kanë 8, 9 dhe 10 vjet, që janë në poste pa lëvizur nga shtetet, ku janë akredituar. Shumica e ambasadorëve po bëjnë mandatin e tyre të tretë politik njësoj sa qeveria aktuale. Është shkelur nga qeveria ligji për shërbimin e jashtëm me të katër këmbët. Në rastin më tolerant mund të thuhet se ambasadorët janë atrofizuar.

Përsa i përket rënies në dashuri me vendin, ku janë akredituar, kjo është plotësisht e vërtetë. Një ambasador i Shqipërisë në Greqi, të cilit i kishte mbaruar ligjërisht mandati, dilte rregullisht çdo muaj nëpër mediat greke dhe mbronte qëndrimin e Greqisë në të ashtuquajturën çështje të detit. Unë kam qenë drejtor dhe anëtar kolegjumi në MPJ dhe kur diskutonim çështjet e Lindjes se Mesme, ambasadori ynë në Izrael mbronte qëndrimin izraelit dhe ambasadori ynë në Arabinë Saudite mbronte qëndrimin arab.

Pas 8, 9 dhe 10 vitesh të qëndrimit të tyre në shtetet, ku janë akredituar, ambasadorët e Shqipërisë janë kthyer thjeshtë në postierë. Atyre u është harruar emri.

E thënë shqip: Shqipëria realisht nuk ka as ambasadorë dhe as diplomaci.

Po ndodh...