How did Kumbaro's "tiny spot" become a bone of contention? Businessmen were beaten with fists at "Arena Center", not just partners

2026-05-29 15:39:19 / AKTUALITET ALFA PRESS

How did Kumbaro's "tiny spot" become a bone of contention?

Policia e Tiranës ka marrë kallëzimin e Sokol Agalliut lidhur me dhunimin fizik që ai pësoi nga daja i tij, Idajet Ismailaj, dhe djali i dajës së tij, Florid Ismailaj.

Pas marrjes së mjekimit në një spital privat, mësohet se Agalliu është paraqitur në ambientet e Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, duke depozituar kallëzim penal për dajën dhe djalin e tij.

Siç mëson gazetari Elton Qyno, Policia e Tiranës, pas kryerjes së veprimeve paraprake, ka udhëzuar Agalliun të kryejë një akt-ekspertimi mjeko-ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, me qëllim evidentimin e shkallës së dëmtimeve fizike.

Teksa janë mbyllur veprimet verifikuese dhe janë marrë në pyetje Idajet Ismailaj dhe djali i tij, Florind Ismailaj, Komisariati Nr. 1 në Tiranë ka vendosur të përcjellë materialin hetimor në Prokurorinë e Tiranës për akuzën e “Dhunës në familje” dhe “Plagosjes së lehtë me dashje”.

Mësohet se konflikti mes dajës dhe nipit ka ndodhur fillimisht për blerjen e një automjeti, që kompania “AlbStar” mori dhe më pas ky mjet përdorej nga Sokol Agalliu.

Pikërisht kjo makinë është bërë shkak për përplasjen e para 3 muajve mes dajës dhe nipit, ku më tej kompania “AlbStar” vendosi të bëjë kallëzim në Policinë e Tiranës, duke nxjerrë njëherësh në kërkim mjetin e blerë mijëra euro në një subjekt privat në autostradën “K……”.

Makina në fjalë është lokalizuar nga Policia Rrugore dhe më pas është bllokuar, duke u stacionuar tek parkingu i biznesit privat që kishte kryer shitjen.

Por, siç mëson gazetari Elton Qyno, mjeti është marrë pa leje sërish nga Sokol Agalliu tek kompania “K……”, duke sjellë më tej vijimin e konfliktit mes dajës, nipit dhe djalit të dajës.

Vijimësia e këtij konflikti ka vazhduar edhe ditën e djeshme në mbledhjen e radhës të aksionerëve të ortakëve të kompanisë “Finman”, ku palët aksionere dhe miqtë e të njëjtit trung familjar janë përplasur fillimisht verbalisht dhe më pas janë përfshirë në goditje fizike ndaj njëri-tjetrit.

Agalliu është rrahur nga babë e bir dhe në mesditën e djeshme ka shkuar në ambientet e spitalit privat “Salus”, ku ka marrë ndihmën mjekësore.

Debati i djeshëm mes aksionerëve ka lindur pas diskutimit dhe akuzave për vjedhjen e 500 milionë lekëve të vjetra nga arka e kompanisë dhe tjetërsimin e 750 m2 tokë tek “Manastiri Resort”.

Agalliu ka pretenduar dhe akuzuar dy personat gjatë mbledhjes së Asamblesë së Ortakëve të Shoqërisë “Finman”, që zotërohet nga shoqëritë “Albstar shpk”, “Manastiri Resort shpk”, “Arena Center shpk” dhe shumë shoqëri të tjera.

Në orën 11:00, ortaku maxhoritar Idajet Ismailaj, së bashku me djalin e tij Florid Ismailaj dhe bodigardët e tyre, kanë goditur me grushta dhe sende të forta, si dhe kanë kërcënuar me jetë djalin e ortakës tjetër të shoqërisë, Sokol Agalliu.

Shkak është bërë pasi, sipas Agalliut, ky i fundit ka zbuluar dhe i ka akuzuar ata për vjedhjen e 500 milionë lekëve të vjetra nga arka e kompanisë dhe vjedhjen e 750 m2 tek kompania “Manastiri Resort”.

Por kjo nuk është hera e parë që konflikti mes ortakëve shpërthen publikisht.

Vetëm pak ditë më parë, në ambientet e “Finman shpk”, ishte regjistruar një tjetër incident mes Sokol Agalliut dhe stafit të kompanisë. Konflikti verbal kishte degraduar deri në përplasje fizike me një jurist të kompanisë, ngjarje për të cilën pati edhe ndërhyrje të policisë. Shkak u bë blerja e makinës nga kompania që përdorej nga Agalliu.

Agalliu u arrestua fillimisht, por më pas u lirua nga Gjykata e Tiranës me një masë më të butë sigurie.

Pavarësisht kësaj, tensioni nuk u shua. Burime pranë kompanisë thonë se Agalliu u rikthye në zyrat e kompanisë në fillim të javës për të marrë pjesë në mbledhjen e bordit drejtues, por nuk u lejua të hynte për shkak të konfliktit të hapur mes palëve.

Në sfond të këtij sherri qëndron projekti shumë i debatuar “Manastiri Resort”, resorti luksoz i ndërtuar pranë Gjirit të Manastirit në Ksamil, një zonë që për vite me radhë ka qenë pjesë e territorit të mbrojtur.

Në vitin 2021, ministrja e Mjedisit dhe Turizmit, Mirela Kumbaro, firmosi vendimin për nxjerrjen e zonës nga territori i mbrojtur, duke i hapur rrugë ndërtimit të resortit nga kompania “AlbStar” e Idajet Ismailajt. Projekti shkaktoi reagime të forta publike dhe akuza për favorizim, ndërsa vetë Kumbaro e minimizoi debatin në Kuvend duke e cilësuar investimin si “një pikë të voçkël”.

Më pas, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për projektin turistik, ndërsa në vitin 2024 u dhanë edhe ndryshime të tjera në kushtet e lejes së ndërtimit për kompleksin me disa kate mbi dhe nën tokë.

Për realizimin e investimit u krijua kompania “Manastiri Resort”, e themeluar nga “Finman” dhe kompania “Andi shpk”. Vetëm dy javë pas krijimit të shoqërisë, projekti mori statusin “Investitor Strategjik”.

Më vonë, kompania partnere u tërhoq nga investimi, duke ia kaluar aksionet “Finman”, ndërsa vlera e transaksionit nuk u bë publike.

Grupi i kompanive të kontrolluara nga Sadik dhe Idajet Ismailaj ka qenë shpesh në qendër të debatit publik për shkak të përfitimit të tenderëve, lejeve të ndërtimit, koncesioneve dhe projekteve strategjike.

Në këtë rrjet përfshihen kompani që operojnë në ndërtim, energji, turizëm, kazino, infrastrukturë dhe naftë. Emri i grupit është përmendur edhe në raportime që lidhen me tenderë të konsideruar problematikë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në të kaluarën, në disa projekte energjetike të lidhura me grupin Ismailaj është përmendur edhe oligarku rus Oleg Deripaska, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i lidhur më pas me çështjen McGonigal, skandal që trazoi politikën shqiptare dhe marrëdhëniet me Uashingtonin.

Ndërsa hetimet për përplasjen e fundit mes ortakëve pritet të zbardhin detajet e konfliktit, sherri brenda kompanisë që kontrollon “Manastiri Resort” po nxjerr në sipërfaqe jo vetëm luftën për miliona euro, por edhe prapaskenat e një prej investimeve më të debatuara turistike të viteve të fundit në jug të vendit. / Nga Elton Qyno - Syri.net

 

Happening now...

ideas