Rrëshqitja e tokës në aksin nacional Librazhd-Përrenjas, dëmtohet gjysma e rrugës, vijon lëvizja me një korsi

2026-02-20 13:31:54 / AKTUALITET ALFA PRESS

Rrëshqitja e tokës në aksin nacional Librazhd-Përrenjas,

Moti i keq por edhe shkaqe të tjera që lidhen me punimet që po kryhen për zgjerimin e Korridorit të VIII kanë krijuar një rrëshqitje masive tokë pranë fshatit Dragostunjë, në aksin nacional Librazhd-Përrenjas, rrëshqitje e cila ka çarë gjysmën e këtij aksi rrugor në një pjesë të konsiderueshme të tij. 

Ndërkohë shembja ka ndodhur, jo më larg se 2 km, nga vendi ku dy javë më parë  u shemb shpati i një mali i cili bllokoi për 8 orë qarkullimin duke krijuar, jo vetëm rrezikshmëri për përdoruesit e rrugës, por edhe problematika në qarkullim në ditët më pas.

Fatmirësisht marrja e masave nuk krijoi rrezikshmëri për përdoruesit e rrugës, megjithatë këta të fundit kërkojnë që të merren masa paraprake për përballimin e çdo situata emergjente të cilat në këtë aks rrugor po ndodhin dita ditës.

Autoriteti rrugor shqiptar dhe kompania që po punon për ndërtimin e rrugës kanë marrë masa për drejtimin e lëvizjes me një korsi dhe për hapjen e një gjurme të re e cila do të funksionojë si korsi e dytë për lëvizjen e mjeteve.

Ndërkohë një sondë shpuese po studion masivitetin e kësaj rrëshqitje dhe, edhe pse deri tani ka shkuar në disa metra nën tokë, ende nuk ka gjetur një terren të qëndrueshëm çka do të thotë se rrëshqitja këtu është masive.

 

Happening now...

ideas