Vetëm 3% e bizneseve të vogla eksportojnë/ Ndërmarrjet shqiptare mbeten kryesisht të orientuara nga tregu i brendshëm

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme vijojnë të mbajnë peshën kryesore të ekonomisë shqiptare. Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në vitin 2024 këto ndërmarrje përbëjnë pothuajse të gjithë biznesin aktiv në vend dhe janë burimi kryesor i punësimit dhe aktivitetit ekonomik.
Të dhënat tregojnë se 99.9% e ndërmarrjeve aktive në Shqipëri janë ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Në këto biznese punojnë 82% e të gjithë të punësuarve në ekonomi, duke konfirmuar rolin e tyre vendimtar në tregun e punës dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Po ashtu, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme realizojnë 81.4% të shitjeve neto në ekonomi, kryejnë 75% të investimeve dhe krijojnë 78.1% të vlerës së shtuar në ekonomi. Krahasuar me vitin 2023, pesha e tyre në ekonominë shqiptare mbetet pothuajse e pandryshuar.
Krahasimi me Bashkimin Evropian tregon se NVM-të kanë një rol edhe më të madh në Shqipëri. Në vendet e BE-së, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme gjenerojnë rreth 65.1% të punësimit, ndërsa në Shqipëri kjo shifër arrin 82%. Edhe për sa i përket vlerës së shtuar në ekonomi, NVM-të në Shqipëri krijojnë 78.1%, ndërsa në BE kjo peshë është 53.6%.
Megjithatë, vetëm një pjesë e vogël e këtyre ndërmarrjeve janë të përfshira në tregtinë ndërkombëtare. Në vitin 2024, 3.1% e NVM-ve janë ndërmarrje eksportuese, ndërsa 11.9% janë ndërmarrje importuese, çka tregon se shumica e tyre operojnë kryesisht në tregun e brendshëm.
Sipas sektorëve të ekonomisë, mikrondërmarrjet kanë peshën më të madhe të punësimit në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Ndërmarrjet e vogla janë më të përqendruara në ndërtim, ndërsa ndërmarrjet e mesme kanë peshë më të madhe në industrinë përpunuese.
Në total, gjatë vitit 2024 në Shqipëri numëroheshin 119,870 ndërmarrje aktive, nga të cilat vetëm 174 janë ndërmarrje të mëdha, ndërsa pjesa dërrmuese janë mikro, të vogla ose të mesme./SCAN
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128