Udhëzimi i Kadastrës: Ja hapat që duhet të ndiqni për të rivlerësuar pronën
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka udhëzuar qytetarët se si duhet të veprojnë për të bërë rivlerësimin e pronave të tyre. Sipas udhëzimit, hapi i parë është identifikimi në e-Albania.
Pas hyrjes në llogarinë personale në e-Albania, qytetarët duhet të zgjedhin shërbimin: “Rivlerësimi i Pasurisë”, duke konfirmuar përmes një klikimi se “Përfaqësuesi është i njëjtë me aplikantin”.
Në faqen që hapet më pas, zgjidhet pasuria që kërkohet të rivlerësohet, të cilës i shtohet automatikisht edhe shërbimi “Lëshim kopje kartele të pasurisë së paluajtshme”.
Pas këtyre hapave, qytetarët duhet të ngarkojnë një dokument pronësie ose aktin e ekspertimit dhe licensën e ekspertit në PDF, nëse rivlerësimin e kanë kryer me ekspert të licensuar.
Në faqen pasardhëse reflektohet tarifa minimale e shërbimit, ku duhet klikuar “Dërgo”.
Kadastra shpjegon se tarifa e shërbimit nuk është fikse, por ajo përllogaritet në varësi të shumës së tatimit që do të rezultojë nga rivlerësimi. Sipas udhëzimit të ministrit të Financave tarifat kadastrale për rivlerësimin e pronës janë si më poshtë:
Deri në 150,000 lekë tatim → 3,500 lekë
Nga 150,001 – 300,000 lekë tatim → 7,000 lekë
Mbi 300,001 lekë tatim → 10,000 lekë
Tarifa e shërbimit përfshihet në faturën që vjen në e-Albania, thuhet në sqarim.
Një ditë më parë ministria e Financave publikoi udhëzimin, që i hap rrugë nisjes së rivlerësimit të pronave me një tatim të zbutur 5 për qind, nga 15% që është norma zyrtare e taksës.
Udhëzimi përcakton se rivlerësimi mund të bëhet ose pranë ASHK-së me çmimet minimale fiskale ose nga një ekspert i licencuar.
Në udhëzim përcaktohet se në rast se individi zgjedh që rivlerësimin e pasurisë ta bëjë ASHK-ja, ai bëhet me çmimet minimale fiskale, që janë në fuqi në momentin e kryerjes së procesit të rivlerësimit dhe në përputhje me përcaktimet e udhëzimit të përbashkët nr. 34, datë 29.12.2023, “Për tatimin e kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurisë së paluajtshme”.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128