Putin: Ukraina po saboton paqen, Perëndimi nuk mund ta mposhtë Rusinë

24 Shkurt 2026, 21:28 / BOTA ALFA PRESS

Putin: Ukraina po saboton paqen, Perëndimi nuk mund ta mposhtë

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar në përvjetorin e katërt të nisjes së luftës në Ukrainë, duke akuzuar Kievin për sabotim të përpjekjeve diplomatike dhe duke paralajmëruar Perëndimin për pasojat e, sipas tij, “kërcënimeve bërthamore”.

Në një fjalim televiziv, Putin pretendoi se Ukraina po përpiqet të prishë negociatat e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

“Po flasim për bombardimin e mundshëm të sistemit tonë të gazit poshtë Detit të Zi. Ukraina nuk qetësohet. Ata po përpiqen të provokojnë incidente për të shkatërruar gjithçka që është arritur përmes negociatave”, deklaroi ai.

Putin komentoi gjithashtu raportimet – të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht – se disa vende perëndimore, përfshirë Francën dhe Britaninë e Madhe, mund të furnizojnë Ukrainën me armë me përmbajtje bërthamore.

“Ata e kuptojnë se çfarë mund të sillte kjo”, tha presidenti rus, duke lënë të kuptohet për pasoja të rënda në rast të një skenari të tillë.

Ai shtoi se, sipas tij, Perëndimi është i fiksuar pas idesë për të mposhtur Rusinë, por nuk do të arrijë një “humbje strategjike” ndaj Moskës.

Putin akuzoi gjithashtu Ukrainën, me mbështetjen e inteligjencës perëndimore, për organizimin e sulmeve terroriste në territorin rus.

“Vitin e kaluar pati rritje të krimeve të natyrës terroriste. Nuk ka dyshim se shërbimet speciale të Ukrainës dhe mbështetësit e tyre të huaj qëndrojnë pas shumicës së tyre”, deklaroi ai, duke përmendur sulme ndaj infrastrukturës, institucioneve dhe objekteve civile.

Në fund të fjalimit, kreu i Kremlinit paralajmëroi se ata që, sipas tij, “e shtyjnë Rusinë shumë larg”, do të përballen me pasoja.

Po ndodh...