Çmendet sistemi i Tatimeve/ Bizneseve u dalin këstet e Tatim Fitimit 10-fish më të larta
Sistemi i Informatik i Tatimeve @Cats ka pësuar kolaps për shkak të mungesës së gjatë të mirëmbajtjes.
Vetëm në dy ditët e fundit, inspektorët tatimorë kanë konstatuar se sistemi ka gjeneruar fatura për Tatimin e Fitimit të kompanive në vlera 10 herë më të larta se sa është detyrimi real i tyre.
Burime nga administrata tatimore thanë për “Boldnews.al” se sistemi elektronik ka pësuar një çakordim të frikshëm të formulës që përllogarit këstet mujore të tatimit të fitimit për kompanitë.
Të njëjtat burime thanë se, deri më tani, janë konstatuar më së paku 1500 raste të faturave fryra të Tatimit mbi Fitimit, por ky numër mund të rritet progresivisht për shkak të anomalisë së pakontrollueshme informatike.
Ky sistemi informativ i Administratës Tatimore është pa mirëmbajtje për një periudhë gati 6-mujore.
Në korrik të vitit 2025, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) shpalli tenderin “Mirëmbajtje e Modulit të Menaxhimit të Kontrollit të Faturimit për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve”, me fond limit 770 milionë lekë (rreth 7.7 milionë euro).
Tenderi u shoqërua me ankesa të shumta për abuzime nga operatorë të ndryshëm që morën pjesë në procedurë. Vetëm në fund të muajit shkurt 2026, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) lejoi autoritetin kontraktor, AKSHI-n, që të vijojë me procedurat deri në shpalljen e fituesit, një proces që ende nuk ka përfunduar.
Por, zgjatja e procedurave ka krijuar një situatë tërësisht kolapsi. Kompania që e ka mirëmbajtur më parë sistemin @Cats të Tatimeve e ka përfunduar kontratën e saj në kohën që u shpall tenderi i ri.
Administrata Tatimore duket e dorëzuar përballë problematikave teknologjike, pasi, prej muajsh, Sistemi Informatik as nuk mirëmbahet dhe as nuk ka kush t’i japë zgjidhje çakordimit.
Por, akoma më e rëndë është situata për bizneset. Mbi-faturimi abuziv për shkak të problemeve teknologjike është vetëm faza e parë e vështirësive të tyre.
Çfarë rrezikojnë bizneset
Sistemi informatik Tatimor në Shqipëri është i konfiguruar në mënyrë të tillë që, në rast se bizneset nuk paguajnë në kohë detyrimet, gjeneron automatikisht kamatë-vonesa, në një përqindje të caktuar mbi shumën e pashlyer në kohë.
Megjithë çakordimit të Sistemit @Cats, bizneset do të jenë të detyruara që ta paguajnë faturën abuzive 10 herë më të lartë, në të kundërt subjektet private do të ngarkohen me gjoba dhe kamatë-vonesa shumë herë më të larta.
Kjo situatë i vendos kompanitë private në një “situatë çark”, ku nga njëra anë janë ngarkuar me faturë abuzive nga sistemi dhe nga ana tjetër, megjithëse për të gjithë, përfshirë edhe Administratën Tatimore, është e qartë se fatura është e fryrë, bizneset duhet ta paguajnë, pasi programi informativ u përllogarit gjobat automatikisht.
Më absurde bëhet situata, në rastet kur kompanitë, në të drejtën e tyre, do të apelojnë çdo lloj mbi-faturimi për shkak të kolapsit të sistemit informatik të Tatimeve.
Procedurat Tatimore në vendin tonë parashikojnë që subjektet private të parapaguajnë të gjithë shumën e gjobës, para se të ankohen për vlerën e saj. Pra, kompanitë do të jetë të detyruara që të shlyejnë shumën 10 herë më të lartë të përllogaritur gabim nga Sistemi, para se ta kundërshtojnë atë.
Fatura abuzive 10 herë më e lartë mund të kolapsojë shumë kompani, të cilat, për të kryer parapagesën e faturës abuzive, mund të gjenden në mungesë të theksuara likuiditetesh për të vijuar veprimtarinë normale ekonomike të tyre.
Po ndodh...
ide
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128