Kështjella PD që u bë Mejhane e Berishës dhe kështjellë e Ramës
Ajo çfarë ndodh në Partinë Demokratike nuk më habit më. Të njëjtit njerëz, të njëjtat fjalë, i njëjti dekor, të njëjtat protesta me të njëjtin rezultat: konsolidimin e pushtetit të Edi Ramës.
Është e trishtueshme për një opozitar të këtij pushteti të konstatojë pafuqinë e liderëve të tij. Janë mbyllur në Kështjellën e tyre të dikurshme dhe përjashtojnë prej andej çdo zë që mendon se Edi Rama mundet me votë.
Kohët e lavdishme të Partisë Demokratike, kohët kur u bë streha e të gjithë mendimit intelektual opozitar, ku ndasitë tejkaloheshin në emër të gjërave që bashkonin, kanë mbaruar një herë e mirë.
Tani jemi në epokën kur Kështjella “e lavdishme” e opozitarëve është kthyer në një Mejhane ku strehohen fanatikë që kanë si refren thënien qaramane e viktimizuese: “Rama nuk mundet me votë”. Qëllimi nuk është të frymëzojnë besim por të justifikojnë humbje, të injektojnë edhe tek ata votues të mbetur se nuk është faji tyre, se ata po bëjnë ç’është e mundur por është sistemi klientelisto-patronazhist i Ramës që e ka kthyer Shqipërinë në një çiflig.
Po nëse është kështu, pse duhet të votojnë Mejhanen votuesi? Le të votojnë Ramën dhe ta kthejmë edhe njëherë monizmin. Të paktën kështu bie maska e pluralizmit. Për të mbajtur 20-30 deputetë që marrin rroga dhe bëjnë konferenca shtypi?! Unë e refuzoj këtë arsye.
Kanë dalë ndonjëherë deputetët e Kështjellës të takojnë zgjedhësit e tyre? Të qajnë hallet me ta, t’i dëgjojnë, t’i sqarojnë, tu japin besim? Ata marrin rroga dhe dieta të majme dhe bëjnë si pronarë të Opozitës dhe mendimit opozitar. Në fakt ata janë Garda Revolucionare e Edi Ramës.
Cilët deputetë opozitarë kanë dalë të denoncojën masakrën urbane që i është bërë dhe po i bëhet Tiranës çdo ditë? Po fermerët që po falimentojnë? Braktisjen totale të zonave rurale, kthimin e Shqipërisë në një azil ndërkomëbëtar pleqsh? Çfarë hallesh kanë njerëzit në Konsipol, Leskovik, Tufinë, Lekbibaj, Martanesh a në çdo cep të varfërisë e mungesës së shpresës?
Kur deputetët të rrinë në zona e jo të kapardisen në Tiranë votat do të vijnë. Sepse mllefi më i madh i votuesve nuk janë hallet e tyre por sepse nuk kanë ku ankohen.
***
Parta Demokratike e sotme është Partia e Sali Berishës, është Kështjella e tij. Pikë. Kush nuk e kupton këtë nuk ka kuptuar asgjë. Ai ka prapa vetes 200, 300 a 400 mijë njerëz. Kush do të vijë në pushtet duhet të zhbllokojë ato vota – t’ia marrë atij ose t’i çojë të vetat tek Berisha. Rrugë tjetër nuk ka. Unë kam menduar gjithmonë që do të ekzistojë një mënyrë që vetë Berisha t’i çlirojë votat e tij në dobi të një kauze më të madhe, ngjizjes së shpresës opozitare për fitore. Rrugën do ta gjente ai. Ka dhënë prova në 2005-ën, ka ditur të kapërcejë mbi sharësit më të mëdhenj publikë të tij duke ua ofruar kulaçin e pushtetit.
Mirëpo këtë radhë duket se është vonë për të qenë në pushtet. Ndaj ka zgjedhur të kompaktësojë radhët në vend që t’i shtojë ato. Institucioni kryesor i Kështjellës së tij është kafeneja në të djathtë të SHQUP-it.
Në Kështjellë kanë vend vetëm të bindurit, fanatikët dhe apostujt e tij. Të tjerët le të krijojnë kështjellëzën e tyre.
Çdo shpresë që Berisha të pranojë alternativa mendimi, sistem meritor të vlerave, alternativë qeverisjeje, frymë tolerance dhe bashkëekzistence, ka marrë fund. Njësoj si në kohën e dikurshme, çdo mendje alternative shpallet agjent e poliagjent dhe, në pamundësi të futet në burg, izolohet nga Mejhanja demokrate e mediokritetit.
Duhet shtuar këtu se dëshpërim ka vetëm në mes popullit opozitar jo në udhëheqje dhe fanatikët e saj. Ata janë monolit rreth liderit dhe syçelët se mos në Kështjellë mbërrin ndonjë i fantaksur që shkon e takon popull. Sapo nga Kështjella largohet “i fantaksuri”, brenda saj shpërthen gëzimi: “Askush nuk e çan unitetin tonë”. Kështjellarët fanatikë nuk brengosen nëse “i fantaksuri” u merr vota nga thesi i tyre, ka boll aty sa për të siguruar ekzistencën e besnikëve. Mjaftojnë 200 mijë vota. Me kaq edhe nuk u kërkohet më të vijnë në pushtet, mundet të thërriten “qëndrestarë”, “osokukas” apo “heronj”.
Kjo i jep dorë viktimizimit të tyre dhe ruajtjes së radhëve.
Armiqtë le të shtohen, ata do të shpallen të tillë me dekret të posaçëm të Kështjellës.
Çfarë i mbetet fjala vjen Ervin Salianjit të bëjë, këtij Mehmet Shehu të kohëve tona, tani që Kështjella e dha verdiktin e “vetëpërjashtimit”. Edhe Mehmet Shehun e ngratë e “vetëvranë”. A nuk është njësoj logjika?
Salianji do shohë punët e veta. Meqë Kështjella nuk e do, atëherë do të përpiqet të marrë disa vota nga këto të Kështjellës, fjala vjen 50 a 60 mijë. Do bëjë edhe ai 2 a 3 deputetë. Pak përara zgjedhjeve Kështjellari do ta ftojë në “Koalicioni e Fitores” dhe kur ai të thotë që jam “i vetëpërjashtuar” do ta akuzojnë si vegël të Sulltanit.
Në fakt Mejhanja e PD-së është Kështjella e Edi Ramës. Prej atje buron fitorja e tij “publiçitare”…
Po ndodh...
Kështjella PD që u bë Mejhane e Berishës dhe kështjellë e Ramës
ide
Zgjedhjet nuk i mbulojnë dot veshët e gomarit
Referendumi - Legjitimiteti i rrejshëm i Sali Berishës
Kohë të mira për SPAK dhe Gjykatën Speciale
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128