“Vendi ynë nuk mund të krahasohet me Venezuelën”- Kryeministri i Groenlandës: Ne jemi vend demokratik, nuk duhet të na zërë paniku!

5 Janar 2026, 23:00 / BOTA ALFA PRESS

“Vendi ynë nuk mund të krahasohet me Venezuelën”-

Kryeministri i Groenlandës tha sot se donte të rivendoste komunikimin me Shtetet e Bashkuara, pasi Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, u shpreh se donte që të merrnin kontrollin e territorit autonom danez.

“Situata nuk është e tillë që Shtetet e Bashkuara të mund ta pushtojnë Groenlandën. Ky nuk është rasti. Pra, nuk duhet të na zërë paniku. Duhet të rivendosim bashkëpunimin e mirë që kemi pasur”, tha Jens- Frederik Nielsen, gjatë një konference për shtyp në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës.

Megjithatë, ai theksoi se administrata e tij “tani do ta ashpërsojë tonin, pasi nuk jemi të kënaqur me situatën në të cilën ndodhemi”.

“Ne duam të rivendosim bashkëpunimin e mirë që kishim më parë me SHBA-në. Po përpiqemi të krijojmë një linjë të drejtpërdrejtë me Uashingtonin. Jemi të hapur për aktivitete biznesi. Po punojmë për të forcuar dialogun me vendet aleate dhe NATO-n. Nuk jemi në pikën ku mendojmë se vendi ynë mund të pushtohet dhe se kjo mund të ndodhë brenda natës”, theksoi ai.

Donald Trump, kur u pyet nga revista amerikane The Atlantic në lidhje me ndërlikimet për Groenlandën të operacionit ushtarak të kryer nga forcat amerikane në Venezuelë, deklaroi se u takon partnerëve të tij t’i vlerësojnë ato:

“Ata do të duhet të formojnë mendimin e tyre”, u përgjigj ai.

Për Nielsen, një gjë është e sigurt, situata është shumë e ndryshme.

“Vendi ynë nuk mund të krahasohet me Venezuelën. Ne jemi një vend demokratik. Ka qenë kështu për shumë, shumë vite”, theksoi ai.

Po ndodh...