Robert Kennedy Jr: OBSH-ja është në grahmat e fundit! Le të krijojmë institucione të reja shëndetësore

20 Maj 2025, 16:04 / BOTA ALFA PRESS

Robert Kennedy Jr: OBSH-ja është në grahmat e fundit! Le të

Ministri i Shëndetësisë së SHBA-së, Robert Kennedy Jr., kritikoi të martën Organizatën Botërore të Shëndetësisë, duke e quajtur atë “në grahmat e fundit”, në një kohë kur zyrtarë nga mbarë bota po mblidhen në Gjenevë për Asamblenë vjetore të OBSH-së.

“U bëj thirrje ministrave të shëndetësisë nga e gjithë bota dhe OBSH-së që ta shohin largimin tonë nga organizata si një thirrje për zgjim”, deklaroi Kennedy në një video për Fox News, sipas Reuters. “Kemi hyrë tashmë në kontakt me vende që mendojnë në të njëjtën mënyrë dhe po inkurajojmë të tjerët të shqyrtojnë mundësinë për t’iu bashkuar nismës sonë”, tha ai, duke propozuar krijimin e strukturave të reja shëndetësore.

Anëtarët e OBSH-së miratojnë marrëveshje historike për përgatitjen ndaj pandemive

Ndërkohë, anëtarët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) miratuan sot një marrëveshje historike mbi mënyrën e përgatitjes për pandemitë e ardhshme, pas përvojës së pandemisë së Covid-19, e cila shkaktoi miliona viktima nga viti 2020 deri më 2022.

Pas tre vitesh negociatash, traktati juridikisht i detyrueshëm u miratua në Gjenevë gjatë Asamblesë Botërore të Shëndetësisë. Miratimi u prit me duartrokitje nga anëtarët e OBSH-së.

Marrëveshja konsiderohet gjerësisht si një fitore për anëtarët e OBSH-së në një periudhë kur organizatat shumëpalëshe, si OBSH-ja, po përballen me shkurtime financiare nga SHBA.

“Kjo marrëveshje është një fitore për shëndetin publik, shkencën dhe veprimin shumëpalësh. Ajo do të sigurojë që të mund të mbrojmë kolektivisht botën më mirë nga kërcënimet e ardhshme pandemike”, deklaroi Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Miratimi i traktatit hasi një pengesë të minutës së fundit të hënën, kur Sllovakia kërkoi që të zhvillohej një votim, pasi kryeministri i saj, skeptik ndaj vaksinave, kërkoi që vendi i tij të sfidonte miratimin e marrëveshjes.

124 vende votuan pro, asnjë kundër, ndërsa 11 vende – përfshirë Poloninë, Izraelin, Italinë, Rusinë, Sllovakinë dhe Iranin – abstenuan.

 

Po ndodh...