Ministri francez pranon paaftësinë shtetërore pas grabitjes spektakolare në Luvër! Çfarë ndodh me xhevahiret e vjedhura mbretërore
“Dështuam, kjo është e sigurt.” Me këtë frazë, ministri francez i Drejtësisë, Gérald Darmanin, pranoi të hënën në mëngjes, gjatë një interviste për radion France Inter, paaftësinë e shtetit për të parandaluar grabitjen e madhe hollivudiane në Muzeun e Luvrit.
Autoritetet “dështuan” të parandalonin grabitjen dhe vjedhjen e tetë bizhuterive mbretërore, ngjarje që sipas ministrit “dërgon një imazh shumë negativ të Francës” në mbarë botën.
“E vetmja gjë e sigurt është se kemi dështuar”, deklaroi Darmanin, “sepse kriminelët arritën të nxjerrin një ashensor ngarkesash në rrugë publike, të ngjiten dhe brenda pak minutash të vjedhin bizhuteri me vlerë të paçmuar”.
Ministrja e Kulturës, Rachida Dati, nga ana e saj nuk përjashtoi mundësinë që në këtë ngjarje të jetë përfshirë edhe një shtet i huaj. Sipas saj, prokurori që po drejton hetimet nuk përjashton asnjë pistë, përfshirë edhe atë që e lidh grabitjen me ndërhyrjen e ndonjë vendi të huaj.
“Të gjithë ishin të tronditur dhe të prekur,” shtoi Dati, duke krahasuar ndikimin e kësaj grabitjeje me zjarrin e Notre Dame në vitin 2019, pasi “prek kulturën, trashëgiminë tonë të përbashkët, kohezionin dhe vlerat tona kulturore”.
Ndërkohë, ish-presidenti François Hollande bëri thirrje për qetësi dhe unitet, në këtë periudhë të vështirë për vendin, i cili tashmë ndodhet në një klimë të tensionuar politike.
“Kur sulmohemi, reagimi i parë duhet të jetë uniteti, jo përplasjet,” u shpreh ai në një intervistë për BFMTV, duke iu përgjigjur kritikave të Marine Le Pen dhe Jordan Bardella, të cilët e cilësuan ngjarjen si “turpërim kombëtar”.
Ngjarja e paprecedentë ndodhi të dielën, kur katër grabitës u ngjitën me shkallë në ndërtesën ikonike të Muzeut të Luvrit dhe, brenda vetëm shtatë minutash, vodhën bizhuteri me vlerë të paçmueshme nga Galeria e Apollonit, ku ruhen thesaret mbretërorë të Francës.
Grupi i organizuar i katër personave hyri përmes një dritareje në katin e parë, duke përdorur një shkallë elektrike nga ana e lumit Seinë, në shëtitoren “François Mitterrand”.
Pasi thyen një derë dhe dy vitrina të blinduara, ata morën tetë objekte të “vlerës së paçmueshme kulturore”, sipas Ministrisë së Kulturës.
Ndër objektet e vjedhura janë gjerdani me safirë që i përkiste mbretëreshës Maria-Amalia dhe Hortense, me 8 safirë dhe 631 diamante, karfica e perandoreshës Eugénie, bashkëshortja e Napoleonit III, e zbukuruar me rreth 2.000 diamante.
Megjithatë, grabitësit lanë pas kurorën e perandoreshës Eugénie, me 1.354 diamante dhe 56 smeralde, për shkak të ndërhyrjes së menjëhershme të rojeve. Kurora u rikuperua, por pësoi dëmtime.
Ministri i Brendshëm Laurent Nunez deklaroi se ka “shpresë të fortë” se autorët do të identifikohen “shumë shpejt”.
Hetimi për “vjedhje nga grup i organizuar dhe formim grupi kriminal” i është besuar Drejtorisë për Luftën Kundër Krimit të Organizuar. Ai përmendi se grabitësit janë “të stërvitur” dhe ka mundësi të jenë “të huaj”.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, shtoi se nuk përjashtohet që pas grabitjes të qëndrojë një “fuqi e huaj” që ka porositur veprimin. Ndërkohë, presidenti Emmanuel Macron është zotuar se “veprat do të rikuperohen dhe autorët do të dalin para drejtësisë”.
Ministria e Kulturës theksoi se sistemi i alarmit funksionoi normalisht dhe se pesë punonjësit që ndodheshin në galeri në atë moment reaguan menjëherë, sipas protokollit të sigurisë. Megjithatë, hetimi do të shqyrtojë zinxhirin e përgjegjësive, pasi bëhet fjalë për grabitjen më të madhe në Luvër që nga vjedhja e Mona Lizës në vitin 1911.
Bizhuteri “të paçmueshme por të pa tregtueshme”
Ekspertët e gurëve të çmuar vlerësojnë se bizhuteritë kanë vlerë materiale prej miliona eurosh, por theksojnë se janë “absolutisht të patregtueshme”. Sipas specialistit Alexandre Lézé, edhe pse diamantet mund të vlejnë mbi 500 euro për karat, është e mundur që bizhuteritë të copëtohen për t’u shitur ilegalisht.
Kjo grabitje rikthen frikën për sigurinë e muzeve franceze, disa vite pas rastit të famshëm të “njeriut-merimangë” Vjerzan Tomic, i cili në vitin 2010 vodhi pesë vepra të paçmueshme nga Muzeu i Artit Modern të Parisit, vepra që nuk janë rikuperuar as sot e kësaj dite.
Po ndodh...
Karmën nuk e ndalon dot Sali Berisha!
ide
Sekretari i Parë i PD
Të “rrëzosh” Edi Ramën duke gënjyer veten…
top
receta Alfa
TRENDING 
shërbime
- POLICIA129
- POLICIA RRUGORE126
- URGJENCA112
- ZJARRFIKESJA128
