Franca dhe Spanja kundër qendrave të riatdhesimit të emigrantëve, Macron: Nuk funksionojnë!

19 Qershor 2026, 19:03 / BOTA ALFA PRESS

Franca dhe Spanja kundër qendrave të riatdhesimit të

Vetëm pak ditë pasi Bashkimi Evropian miratoi një rregullore që hap rrugën për krijimin e qendrave të emigrantëve në vende të treta jashtë bllokut, Franca dhe Spanja kanë dalë hapur kundër kësaj qasjeje, duke vënë në pikëpyetje modelin e promovuar nga Italia dhe Shqipëria.

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi pas samitit të liderëve të BE-së në Bruksel se Franca nuk mbështet politikën e të ashtuquajturave “qendra riatdhesimi” në vende të treta.

“Franca nuk e mbështet këtë politikë. Nuk kam parë asnjëherë një qendër të tillë që të funksionojë realisht”, tha Macron, duke lënë të kuptohet se kishte parasysh qendrat e ngritura nga qeveria italiane në Shqipëri, në kuadër të marrëveshjes Rama-Meloni.

Sipas presidentit francez, transferimi i emigrantëve në vende të treta ngre pikëpyetje serioze mbi të drejtat e njeriut dhe efektivitetin e sistemit.

“Çfarë lloj marrëdhënieje po krijohet me këto vende dhe çfarë garancish për të drejtat e njeriut po ofrohen? Nuk jam i sigurt se kjo përfaqëson Evropën dhe nuk besoj se është një politikë efektive”, u shpreh ai, raporton “Corriere Della Sera”.

Në të njëjtën linjë u pozicionua edhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i cili argumentoi se sfida e emigracionit duhet të trajtohet në bashkëpunim me vendet e origjinës dhe jo duke e zhvendosur problemin në vende të tjera.

Qëndrimet e Parisit dhe Madridit bien në kontrast me atë të kryeministres italiane Giorgia Meloni, e cila e ka paraqitur votimin në Parlamentin Evropian si një fitore të Italisë dhe si dëshmi se Evropa po ndjek një rrugë të re në menaxhimin e emigracionit.

Marrëveshja Rama-Meloni për ngritjen e qendrave të emigrantëve në Gjadër dhe Shëngjin është konsideruar nga mbështetësit e saj si model për Evropën. Megjithatë, ajo ka hasur kundërshtime të forta nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat kanë ngritur shqetësime për trajtimin e emigrantëve dhe përputhshmërinë e skemës me standardet ndërkombëtare.

Rregullorja e re evropiane u lejon shteteve anëtare të krijojnë qendra për emigrantët në vende të treta të konsideruara të sigurta, ku mund të transferohen personat që kanë marrë urdhër dëbimi ose u është refuzuar kërkesa për azil. Megjithatë, kundërshtimi i Francës dhe Spanjës tregon se brenda BE-së vazhdon të ketë ndarje të thella mbi mënyrën se si duhet të menaxhohet emigracioni i paligjshëm.

Po ndodh...

ide